Zgjedhjet në Maqedoni, fiton Gruevski

VMRO-DMPNE e Nikola Gruevskit ka dalë parti e parë në këto zgjedhje, duke fituar 51 mandate deputetësh, 2 më shumë se LSDM e Zoran Zaev. Nga 120 mandate deputetësh që dalin nga këto zgjedhje, dy partitë kryesore maqedonase kanë fituar 100 deputetë, ndërsa 20 mandatet e tjera janë ndarë mes 4 partive shqiptare.

Gruevski ka thënë se qytetarët i besuan partisë së tij dhe vizionit të VMRO-së, e këto janë zgjedhjet e 10-ta radhazi të fituara prej tyre.

Ai i ka cilësuar zgjedhjet si korrekte dhe të suksesshme, që sipas tij kanë dëshmuar se Maqedonia është një vend demokratik. “Kemi fituar zgjedhjet, jemi fitues me mbi 400 mijë vota. Urime për zgjedhje të suksesshme. Patëm zgjedhje korrekte dhe demokratike. Kjo është fitorja e 10 me radhë. Qytetarë mbështetën koalicionin tonë”, tha Gruevski.

20 deputetët e tjerë janë ndarë mes partive shqiptare, të cilat duket se në këto zgjedhje kanë humbur terren.

10 mandate deputetësh ka fituar BDI, 5 “Lëvizja Besa”, tre mandate ka fituar Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH ka marrë vetëm dy.

Share Button