Zgjedhjet në Francë, Le Pen i uron fitoren Macron-it

Liderja e së djathtës ekstreme Marine Le Pen i ka uruar kandidatit të pavarur centrist Emmanuel Macron fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve të sotme presidenciale në Francë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mediat franceze raportojnë se Le Pen e ka thirrur në telefon presidentin e sapozgjedhur të Francës dhe siç thuhet i ka dëshiruar sukses “përballë sfidave të mëdha që e presin atë” dhe ka paralajmëruar forcën e re politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në qershor të këtij viti.

Rezultatet e anketës tregojnë se Macron, ish ministër i Ekonomisë dhe ish bankier, i cili angazhohet për Bashkimin Evropian ka fituar 65.9 për qind të votave kurse Le Pen 34.1 për qind në rrethin e dytë presidencial.

Ministria e Brendshme e Francës kumtoi se në bazë të 20 për qind të votave të numëruara Macron ka fituar 60 për qind të votave.

Presidenti aktual i Francës François Hollande e ka telefonuar dhe i ka uruar fitoren presidentit më të ri të sapozgjedhur deri më tani të Francës, Macron.

Hollande ka theksuar se rezultatet e zgjedhjeve të sotme konfirmojnë se shumica e votuesve kanë zgjedhur Bashkimin Evropian dhe hapjen me botën.

Përderisa mijëra mbështetës të Macron-it festojnë në oborrin e muzeut Louvre në Paris duke pritur paraqitjen e parë të tij, shumë liderë evropianë e kanë uruar presidentin e ri francez.

Kandidati i zgjedhur deri më 14 maj do të marrë detyrën nga presidenti francez François Hollande.

Share Button