Zëri i Çamërisë Martire dhe heronjtë Islamikë të saj

AHMET-HAMDI bej Margëllëçi. Atdhedashës, Gjeneral gjindarmërie në Sulltanatin Osman. Deputet i mytesarrëfllëkut(qarkut) të Prévezës në vitet 1908-1912. Pronar i madh tokash, ndër to edhe i skelës Gumenicë. Lindi në qytetin Margëllëç. I ati i tij, Mahmut Hamit efendiu ishte vjershëtar i njohur dhe njeri me ndikim të madh në tërë Çamërinë, madje disi edhe më tej. Duke u nisur nga ushtar i shërbimit të detyruar, pa kurrfarë përkrahje Ahmet-Hamdi Beu u ngjit në gradë gjenerali xhandarmërie. Gjatë mësymjes së beftë në pranverën e 1897-s ushtria greke –ndër të tjera- arriti të zinte edhe qytetin Lurë e sidomos nyjën ushtarake kyç tejet të fortifikuar ndërmjet Janinës dhe Nartës, në vendin e quajtur “Pesë Puse”.

Kur Sulltan Hamiti pyeti sa ushtarë duheshin për të rimarrë nyjën ushtarake në Pesë Puse, Veziri i Madh (kryeministri) iu përgjegj: “E rimorën shqiptarët”. Vetëkuptohet se për rimarrjen e saj humbën jetën shumë luftëtarë dhe ende më shumë u plagosën kush lehtë, kush rëndë e kush më rëndë. Të plagosurit shumë rëndë –ndër ta edhe Ahmet-Hamdi beu- për shërim u shpunë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, Stamboll. Për t’i parë dhe përgëzuar shkoi edhe vet Sulltan Hamiti. Kur ky arriti tek krevati i Ahmet-Hamit beut, shoqëruesit i thanë: “Madhëri, binbash(major) beu për rimarrjen e Pesë Puseve, tregoi zotësi e trimëri shembullore”. Sulltani e pyeti si quhej.

Ahmet-Hamit beu, për të mos treguar se kishte të njëjtin emër me sulltanin -gjë që mund edhe ta zemëronte- iu përgjegj: “Ahmet-Hamdi”, emër me të cilin u njoh ai andej e pas. I kënaqur nga sa i thanë e për më tepër që rimarrjen e të Pesë Puseve prej njësive osmane e quante fitore të shkëlqyer –dhe në të vërtetë e tillë ishte- Sulltan Hamiti i dha dekoratën më të lartë ushtarake dhe e gradoi jarbaj(nënkolonel). Në vitin 1903 me gradë mirrallai(koloneli) gjendet komandant i xhandarmërisë së vilajetit në Shkodër.{Salnamé e Janinës e vitit 1319 H.(1903)} Në zgjedhjet e dyta(korrik-gusht 1909) për mexhlisin II osman u zgjodh deputet i mytesarrëfllëkut(qarkut) të Prevezës, qark në të cilin asokohe përmblidhte edhe kajmekamllëkun(rrethin) e Margëllëçit, rreth i cili zgjatej nëpër Çamërinë e Mesme Perëndimore deri në rrjedhën e lumit Kalama. Ahmet-Hamdi beu shquhej si njeri me guxim të dukshëm. “Tomorri Çam”(Musa Demi, I.D.H.), në një shkrim të tijin të dërguar nga Filati dhe të botuar në fletoren “Dielli”, ndër të tjera për të shënonte: “Sado që s’ka ndjenja kombëtare të forta, po s’është intrigan, nuk e mohon kombin, i dhëmbset për Shqipërinë. Këtë zoteri e njihnim dhe më parë, e njohim edhe tani. Në klub të debutetëve, kur z. Manopullo deshi të hiqej si grek, i dha një përgjigje të fortë, kur i tha: «Ti je shqiptar nga prej ati e mëme, si tani hiqej si grek?! Mblidh gojën, se të rrëfej vleftën»!”. Manopulli nga gjaku ishte me të vërtetë shqiptar, nga fshati Nokovë i Zagorisë. Po “T. Ç.” për A-H Beun shkruante:”Tani që u kthye nga Stambolli në qytet të tij, z. Hamdi këshillon popullin të mësojë shqip, se ky është shpëtimi i vetëm për ne”. “T. Ç.”, duke iu kundërvënë “Liridashësit”(Lonidhë Naçit –I.D.H.) për një shkrim të tij të botuar në “Dielli” nr. 26, dt. 24.9.1909, në të cilin qortonte A-H. beun, ai shkruante:”Po z. «Liridashës» kuptohet që Hamdi Beut s’i ka dhënë rëndësi dhe s’ka dashur ta njohë, se është çam. Çamërit…janë bijt e Shqipërisë dhe shpres’ e tyre është që të vdesin për Shqipërinë dhe Islamin më parë se çdo shqiptar musliman, po vetëm janë natyrë e rëndë…Vetitë e tyre i kanë rrëfyer sheshit me rrojtjen burrërisht në kufi të Greqisë…”.

Ndërsa në një shkrim tjetër të botuar në “Dielli” nr. 141, dt. 14,3.1912 thuhet:”…është një nga shqiptarët e dëgjuar me ndjenja atdhetarie…Në Margëllëç të Çamërisë ka gjithë atë vend e influencë që kanë Ismail Qemali në Vlorë e Haziz bej Vrioni në Berat Po A-H. B., ashtu sikur edhe tërë atdhetarët para tij –madje edhe më kryesorët bashkëkohës- nuk synonte për krijimin e një shteti shqiptar jashtë sulltanatit osman, po brenda tij. Dhe kjo sepse një shtet shqiptar i dalë asokohe pa kurrfarë organizmash të domosdoshme dhe fuqish mbrojtëse, do të përpihej nga mbretëritë fqinje me t’u shpallur i tillë, siç edhe ndodhi pas shpalljes së pavarësisë më 1912.

Me qëllim që “t’u shtrëngonte rripat çamërve përherë e më të pabindur”(A. K. GJuzeli), më 1910 P.L. vendosi që tre nga rrethet e Çamërisë: i Filatit, i Paramithisë dhe i Margëllëçit t’i shkëpuste nga mytesarrëfllëqet ku përmblidheshin deri asokohe: i pari dhe i dyti nga i Janinës, i treti nga i Prévezës dhe të përbënin një njësimytesarrëfllëk më vete. Për kryeqendër më të përshtatshme të tij A-H. B. këshilloi Gumenicën, një nga xhevahirët më të çmueshëm të të gjithë anëdetit shqiptar; madje, edhe e fali për atë qëllim(A.K.GJ.). Politikan e ushtarak i lartë me përvojë të gjatë, kuptoi se gjatë vitit 1912 Greqia do të mësynte sërish jugun shqiptar. Për t’i dalë të keqes përpara, ai filloi përgatitjet për përballimin e mësymjes. Prandaj në mars 1912 “…bleu shumë pushkë për t’ua përndarë muslimanëve të Gumenicës”.

Megaliideistët grekë, duke e parë këtë veprim të tij si parapengesë –meqë vet s’i bënin dot gjë- me anën e një shkrimi të botuar në fletoren greke “Atlantis” dt. 12.3.1912, u përpoqën që ta përballnin me itihatistët e tërëfuqishëm. Mirëpo koburja e tyre me atë rast u shkreh në erë. A-H.B. nuk guxoi kush ta quante fajtor. Në vitet 1908-1913 zë një vend të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në vitet e Luftës Ballkanike. Me të shpërthyer lufta, edhe pse tanimë gjeneral në pension, me të hollat e veta ngriti një allaj(njësi ushtarake numerikisht paksa më e madhe se regjimenti) të përbërë prej atyre bashkëvendasve që nuk i zinte shërbimi ushtarak i detyruar apo rezervë.

Kjo njësi luftarake u bë një nga njësitë kryesore si për mbrojtjen e Prévezës në ditët e fundit të 10-ditshit II dhe ditët e para të 10-ditshit III të tetorit 1912, ashtu edhe për gozhdimin nga 19.12.1912 deri më 10-12.3.1913 të njësive ushtarake mësyese greke gjatë Lumit të Zi. Mirëpo luftëtarët çamër ishin aq të pakë para mësyesve grekë, sa u bë e domosdoshme të rrëmbenin armët edhe gratë dhe të renditeshin përkrah tyre. U duk sheshit se në këto rrethana Çamëria nuk do të mund të shpëtonte dot gjatë nga pushtimi prej ushtrisë greke.

Për të mos ndodhur ajo gjëmë e mynxyrtë, sado që rreziku për jetën e ndiqte hap pas hapi, Ahmet-Hamdi beu shkoi dy herë radhazi edhe në Gjirokastër për të kërkuar ndihmë. Nga sa duket, gjatë 5 ditëve të qëndrimit atje ai nuk mundi të siguronte kurrfarë ndihme. Prandaj më 27.12.1912 prej andej me anë të një tejshkrimi drejtuar kryetarit të qeverisë së përkohshme shqiptare, Ismail Qemalit, kërkonte të dërgoheshin ngutësisht në Çamëri ndihmat e domosdoshme. Me ndërhyrjet e drejtpërdrejta këmbëngulëse të disahershme Komiteti i Mbrojtjes me qendër në Delvinë dhe komandanti i armatës III osmane, gjeneral Ali-Riza Pashai nga Prishtina, dërguan në Çamëri fuqi plotësuese. Në vitet 1918 e mbrapa anëtar i shoqërive të të mërguarve në Turqi.

Në vitet 1923 e mbrapa ai së toku me ish-dhëndërrin e vet, dr. Hasaf Ajdonatin, Ferit bej Deliun e atdhetarë të tjerë, bëri çmos që çamërit dhe tërë shqiptarët e përzënë përdhunisht në masë nga vatrat e veta prej qeverisë greke, të vendoseshin në vende sa më të përshtatshme jetese nëpër Anadoll. Vdiq në Stamboll më 1927.

Ibrahim D. Hoxha

Share Button