Zelandë e Re, ngordhin qindra balena nga shkaqe misterioze

Bëhet e ditur se qindra balena pilot kanë ngordhur pasi kanë goditur brigjet e Ishullit Jugor në Zelandë të Re, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit në Radio New Zealand (RNZ), afërsisht 70 për qind nga 416 balenat që kanë ardhur brigjeve në rajonin e Gjirit të Artë kanë ngordhur.

Në mënyrë që balenat në brigje të mbijetojnë deri në ngritjen e nivelit të ujit, punonjës të sigurimit bregdetar dhe afër 300 vullnetarë kanë mbështjellur me mbulesa të lagura dhe kanë derdhur ujë mbi balenat. Në mënyrë që balenat e shpëtuara të mos kthehen në brigje, në ujë është formuar zinxhir i gjallë.

Mësohet se vullnetarët dhe punonjësit do të mbajnë kujdestari në rajon për të parandaluar që balenat të kthehen në brigje.

– Përpjekje të mëdha për t’i kthyer në ujë

Drejtori operativ i Departamentit të Ruajtjes të Zelandës së Re për Gjirin e Artë, Andrew Lamson, ka njoftuar se për shkaqe ende të paditura, një grup balenash pilot kanë goditur brigjet në vendin e pabanuar Farewell Spit.

Lamson tha se punonjësit dhe vullnetarët kanë dhënë përpjekje të mëdha për t’i kthyer balenat në ujë, duke shtuar se janë shpëtuar rreth 100 balena, porse pjesa e ngelur kanë ngordhur.

Nga ana tjetër, Kath Inwood, drejtor rajonal i Departamentit të Ruajtjes, është shprehur se ndihet e pikëlluar kur shikon balenat e ngordhura. “Njerëzit duhet të jenë të qëndrueshëm dhe më pas të vazhdojnë t’i bëjnë gjërat që duhet bërë”, ka vazhduar ai.

– Dy teoritë për ardhjen e balenave në brigje

Ende nuk dihen shkaqet se pse balenat godasin brigjet, megjithatë ekspertët bazohen në dy teori. Sipas njërës teori, balenat ndjekin gjahun deri në ujëra të cekëta dhe më pas nuk arrijnë të kthehen për shkak të zbaticës, ndërkohë që sipas teorisë së dytë, kjo dukuri shpjegohet si përpjekje e balenave për ta mbrojtur një balenë të sëmurë brenda grupit të tyre.

Ndryshe, Zelanda e Re është një nga vendet me numrin më të madh të rasteve të ardhjes së balenave në brigje. Në vitin 2009, në afërsi të ishujve Chatham kishin ngordhur mbi 100 balena pilot.

Share Button