Zbehen marrëdhëniet Gjermani-Francë

Marrëdhëniet e ngushta mes Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy e përforcuan imazhin e një aksi të fuqishëm franko-gjerman në Europë. Me pasardhësin e presidentit francez, Francois Hollande, kjo shtyllë bashkëpunimi është zbehur disi. Në situatën aktuale, kur zgjedhjet për Parlamentin Europian i dhanë një shtysë të fortë ekstremit të djathtë dhe tashmë pritet zgjedhja e presidentit të ardhshëm të Komisionit Europian, teksa polemikat nuk mungojnë, shefi i Elizesë ndan të njëjtat bindje me David Cameron, se nevojitet një ndryshim rrënjësor, rritje ekonomike dhe vende të reja pune. Franca dhe Britania e Madhe bashkëpunojnë mirë me njëra-tjetrën. Në çështjet ushtarake, bashkëpunimi midis Parisit dhe Londrës ecën në masën më të madhe
pa fërkime. Të dyja fuqitë bërthamore ndodhen në të njëjtën varkë.
Që prej zgjedhjeve europiane kjo vlen, të paktën teorikisht, edhe për diçka tjetër: në të dy këto shtete të BE-së, populistët e djathtë kanë arritur rezultatet më të mira të tyre në Europë dhe i kanë vënë në situatë të vështirë qeveritë e veta. Londra dhe Parisi po përpiqen të gjejnë tani përgjigje politike ndaj fitoreve të fuqishme të ekstremeve, megjithatë, edhe mes tyre dallimet nuk mungojnë. Hollande do që presidenti i ardhshëm i Komisionit Europian të ketë një detyrë, e cila të ketë pak të përbashkëta me përfytyrimet e kolegut të tij britanik.

Cameron u beson forcave të tregut, por kreu i Elizesë synon ta ruajë popullin pikërisht prej tyre. “Unë dua, që ky mandat i Komisionit të orientohet drejt rritjes ekonomike dhe të sjellë më tepër mbrojtje”, shprehet ai. Ndryshe nga shefi i ekzekutivit britanik, presidenti francez nuk e dëshiron ndryshimin e institucioneve europiane. “Nuk ka përse i ndërrojmë marrëveshjet ekzistuese”, arsyeton Hollande. Kancelarja Merkel, e cila është e detyruar të bashkëpunojë ngushtë me të dyja vendet, do të përpiqet të ndërmjetësojë midis vendit të dytë dhe të tretë për nga rëndësia, në BE. Ndryshe nga Cameron dhe Hollande, ajo është pozicionuar qartë për Jean-Claude Juncker, në debatin për postin kryesor të Komisionit Europian.

Share Button