Yıldırım: Turqinë nuk do t’ia dorëzojmë terrorizmit

Kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, ka riafirmuar qëndrimin se të gjitha organizatat terroriste do të përgjigjen për veprat e tyre, pa marrë parasysh se për cilën prej tyre bëhet fjalë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Do të përgjigjen të gjitha pavarësisht nga emrat e tyre, FETO, PKK, DEASH, DHKP-C, apo PYD e YPG. Ne Turqinë nuk do t’ia dorëzojmë terrorizmit”, tha Yıldırım gjatë një vizite në qytetin e Erzincanit në lindje të Turqisë.

“Ky popull, i cili ndali fuqitë e mëdha në Çanakkale, që ka luftuar me shpatë në luftën e pavarsisë, është populli që me besimin e tij ndali tanket, topat, avionët më 15 korrik. Të gjithë tradhëtarët duhet ta dinë se nuk mund të shkëpusin asnjë pjesë toke dhe asnjë gur nga ky atdhe”, potencoi Yıldırım.

Ndër të tjera, kryeministri turk vuri në dukje se Turqia tashmë prodhon vetë tanke, avionë dhe dronë, duke shtuar se vendi së shpejti do të prodhojë edhe automobilin vendas.
“Tashmë Turqia do të prodhojë edhe automobilin e saj. Ne e kemi marrë tashmë këtë vendim”, theksoi kryeministri turk, duke thënë se askush më nuk do të ketë arsye për të thënë se Turqia nuk mund të bëjë një gjë të tillë.

“Shpresojmë se automobili vendas do të prodhohet me mendjen dhe mundin e inxhinierëve, punëtorëve dhe teknikëve turq. Shpresojmë që ai të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të jetë në shërbim të qytetarëve tanë”, tha kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım.

 

Share Button