WMO: 2017-ta, një nga tri vitet më të ngrohta

Pas vitit 2015 dhe 2016, viti 2017 pritet të jetë një nga tri vitet më të nxehta të regjistruara, paralajmëroi të hënën Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), raporton Anadolu Agency (AA).

Teksa vazhdojnë bisedimet për klimën globale në Bonn të Gjermanisë, WMO, organizatë që vepron nën Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), theksoi se tri vite me radhë janë duke u shënuar shkallat më të larta të temperaturave.

Përmes një deklarate me shkrim, WMO theksoi se valët e temperaturave të ngrohta, thatësirat, uraganet dhe përmbytjet kanë pasur “ndikim të lartë” në ngrohjen e globit.

“Treguesit afatgjatë të ndryshimeve klimatike si rritja e dendshmërisë së dioksidit të karbonit, rritja e nivelit të detit dhe acidimi i oqeanit, janë duke vazhduar me tërë intensitetin e tyre”, thuhet në deklaratën e WMO-së.

Sipas të dhënave të WMO-së, temperatura mesatare globale në periudhën janar-shtator 2017 është regjistruar 1,1 gradë më e lartë sesa ajo në periudhën paraindustriale. Shkalla e akullnajave në Oqeanin e Ngrirë të Veriut ka ngelur nën mesataren, ndërsa shkalla e akullnajave në Antarktik në shkallë të ulët rekorde ose afër rekordit.

Si rezultat i zhvillimeve atmosferike El Nino, viti 2016 ka gjasa të mbetet viti më i ngrohtë i regjistruar, thuhet në deklaratë, ndërsa vitet 2017 dhe 2015 si viti i dytë ose i tretë më i ngrohtë.

Share Button