Vrasja për hakmarrje në Ksamil, autorët ikin me varkë

Dhjetëra forca të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nisur krehjen e Ksmalit dhe Shëndëllisë pas vrasjes së Agron Xhezairit mbrëmjen e djeshme. Policia po heton pistën e hakmarrjes, pasi djali i tij, 20-vjeçari Albi Xhezairi, i shpallur në kërkim, është i dyshuari kryesor për vrasjen e Aleksandër Bardhit, më 25 shtator.

Deri tani 10 persona janë shoqëruar për vrasjen e 53-vjeçarit Agron Xhezairi në derën e shtëpisë së tij në Ksamil.

Sipas grupit hetimor, autorët e vrasjes kanë qëlluar nga rrethimi i shtëpisë fqinje e cila aktualisht është e pabanuar. Banesa e viktimës, ndodhet në një zonë të veçuar të Ksamilit, ndaj autorët e kanë pasur të lehtë shënjestrën.

Autorët e vrasjes menjëherë pas vrasjes dyshohet se janë larguar me varkë nëpërmjet Liqenit të Butrintit.

Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se viktima fillimisht ka mbetur i plagosur para shkallëve të banesës dhe ka tentuar që të futet në shtëpi por autorët e kanë qëlluar sërish duke e lënë të vdekur në verandën e banesës.

Share Button