Vrasja e gjyqtares, KLD heton vendimin që liroi autorin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi verifikimet për vendimin e trupës gjyqësore të Kavajës, e cila dënoi me 3 vjet burgim Fadil Kasemin pas tentativës së tij të parë për të vrarë ish-bashkëshorten Fildez Hafizi.

Inspektoriati i KLD u vu në lëvizje nga presidenti Ilir Meta, i cili ende vazhdon të jetë kryetar i këtij këshilli, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Bëhet fjalë për vendimin e 28 prillit 2016 të dhënë nga trupa gjyqësore me kryesues Luan Lushën dhe anëtarë Ela Kajën e Markelian Koçon, i lënë në fuqi nga Apeli dhe i dërguar për rekurs në Gjykatën e Lartë.

Presidenti Meta kërkoi që në mbledhjen e parë të KLD të raportohet për procedurat që duhet të ndiqen nga gjykatat gjatë lëshimit të urdhërave të mbrojtjes për viktimat e dhunës në familje.

Presidenti Meta përmend si nismë të tij se gjatë mandatit nuk do të ushtrojë të drejtën e faljes për individët që ushtrojnë krime në familje.

Presidenti i bën gjithashtu thirrje Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka kompetencë për projekligjet e dhënies së amnistisë që të mos përfshihen të dënuarit që kryejnë vepra penale brenda familjes.

Share Button