Vlerësim pozitiv për ekonominë irlandeze

Agjencia e kreditimit “Moody’s” ka përmirësuar parashikimin e saj për borxhin e Irlandës, duke e klasifikuar vendin si “të qëndrueshëm”.
Analistët ngritën vlerësimin e tyre me dy gradë, nga niveli BAA3 në BAA1, duke u bazuar tek rritja e përmirësuar ekonomike e Irlandës. Deri para pak kohësh, klasifikimi i “Moody’s” për Irlandën ka qenë “mbeturinë”. Në kohën kur borxhi i eurozonës ishte në nivelet më të larta, Irlanda u detyrua të pranonte një hua prej 67 miliardë eurosh nga lidershipi evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Vendi doli nga programi i ndihmave vetëm në dhjetor të vitit të kaluar. Një vlerësim më i lartë nga agjencitë e kreditimit do të thotë se më shumë investitorë mund të blejnë borxhin irlandez. Në një deklaratë për shtyp, “Moody’s” deklaroi se elementi kryesor që çoi në rritjen e vlerësimit ishte përmirësimi domethënës i trajektores së borxhit afatmesëm të Irlandës. Në deklaratë thuhet gjithashtu se, treguesit tregojnë se aktiviteti ekonomik po kap ritmin e duhur dhe se faktorët që mbajtën të tkurrura eksportet në periudhën 2012-13 po dobësohen. Rimëkëmbja e tregut irlandez të pronave dhe përmirësimi i gjendjes së kreditimit të vendit ndikuan gjithashtu në vendimin e agjencisë.

Share Button