Vizita e Kerry-t, Rama: Shumë e rëndësishme në një kohë sfidash të përbashkëta

Kryeministri Edi Rama e përshëndeti me anë të një postimi në Facebook lajmin e dhënë nga Departamenti Amerikan i Shtetit se John Kerry do të vizitojë Shqipërinë në datën 14 shkurt.

“U zyrtarizua vizita e Sekretarit të Shtetit John Kerry në Tiranë: 14 shkurt; vizitë shumë e rëndësishme në një kohë sfidash të përbashkëta!”, shkroi kreu i qeverisë në rrjetin social.

Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një njoftimi zyrtar pasditen e së enjtes bëri të ditur se Sekretari i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë Tiranën më 14 shkurt.

Ndalesa e Sekretarit Kerry në Shqipëri është në vazhdën e një udhëtimi 5-ditor, që ai do ta nisë me ndalesën në Mynih të Gjermanisë, ku do të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë.

Në këtë ndalesë, ai do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar në Mbështetje të Sirisë (ISSG) për të diskutuar mbi mënyrat sesi të përshpejtohet dhënia fund e konfliktit sirian.

Më tej në Tiranë, Sekretari Kerry do të takohet me krerët më të lartë të qeverisë shqiptare, për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm euroatlantik të Shqipërisë, si dhe bashkëpunimin e ngushtë dypalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Share Button