Vijojnë protestat në mbështetje të të burgosurve palestinezë në Gaza

Të afërmit e të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite kanë organizuar protestë në Rripin e Gazës në mbështetje të të burgosurve, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra familjarë të të burgosurve që u mblodhën para ndërtesës së Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Gaza kërkuan lirimin e menjëhershëm të palestinezëve që vuajnë në burgjet izraelite.

Protestuesit në duar mbanin fotografi të palestinezëve që gjenden në grevë urie dhe mbishkrime përmes të cilave i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar për lirimin e të burogsurve.

Nema el-Haddad, një nga të afërmit e të burgosurve, për AA tha se “Kemi ardhur këtu për t’u solidarizuar me fëmijët tanë që gjenden të burgosur në burgjet izraelite”.

Haddad i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të plotësohen kërkesat e të burgosurve në burgjet izraelite. “Të burgosurit janë duke vuajtur nga praktikat raciste që ushtrohen nga menaxhuesit e burgjeve”, shtoi Haddad.

Hadda theksoi se arsyeja e grevës së urisë nga palestinezët në burgjet izraelite është që ata të mund të fitojnë të drejtat e tyre legjitime.

Ndryshe, rreth dy mijë palestinezë në burgjet izraelite më 17 prill filluan grevë urie “Për përmirësimin e kushteve të burgosjes, duke i dhënë fund praktikave arbitrare të Izraelit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut”.

Sipas një raporti të disa institucioneve, përfshirë edhe Komitetin e të Burgosurve Palestinezë, në burgjet izraelite gjenden rreth shtatë mijë të burgosur palestinezë, përfshirë 481 nga Jerusalemi Lindor i okupuar, prej të cilëve 57 janë gra dhe 300 fëmijë.

Share Button