Vijojnë protestat në Brazil

Policia braziliane është përleshur sërish me banorët e Rio de Zhaneiros në lagjet e varfëra të qytetit. Policia përdori gaz lotësjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turma të irrituara protestuesish nga lagjia Pavao-Pavaozinjo. Këtë herë banorët po ktheheshin nga varrimi i një personi, që dyshohet të ketë vdekur nga dhuna e policisë më herët gjatë javës. Ditën e enjte, shumë makinave iu vu flaka dhe qindra banorë e patën të pamundur të ktheheshin në shtëpitë e tyre pasi protestuesit kishin bllokuar rrugët me barrikada, të cilave u kishin vënë flakën. Policia përdori spraj me piper dhe gaz lotësjellës për të shpërndarë turmën që gjuante me gurë ndaj saj. Sipas mediave braziliane online, një person u ndalua nga forcat e rendit. Në të njëjtën kohë autoritetet mbyllën përkohësisht shëtitoren në lagjen Kopakabana, e famshme për plazhin e saj me rërë. Autoritetet deklarojnë se do të hetojnë vdekjen e balerinit Douglas Pereira.

Share Button