Videoja e pengmarrjes, replika në kuvend pozitë-opozitë

Publikimi i një videoje në komisionin hetimor për lëvizjet në polici, që sipas opozitës dëshmon se drejtori i policisë Artan Didi ka udhëhequr aksionin e pengmarrjes së autobusit grek nga shtetasi Flamur Pisli, ka sjellë edhe reagimin e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Ai  akuzoi opozitën se po i jep kurajo krimit. Ministri Tahiri tha se punonjësit e policisë do të jenë të angazhuar për të vënë ligjin, qoftë me koston për të vrarë keqbërësit. “Kur do mblidhni mendjen dhe të mos i jepni kurajo krimit. Kur do mblidhni mendjen ta përdorni foltoren e Kuvendit për të përkrahur Policinë e Shtetit. Edhe kur t’i dilni për krah ndonjë krimineli apo pengmarrësi, ju siguroj që do ketë gjithmonë punonjës policie për të venë ligjin në vend qoftë me koston për të vrarë keqbërësit”- deklaroi ministri Tahiri. Në përgjigje të deklaratave të ministrit, deputeti demokrat Arben Ristani tha: “Ne sigurisht që jemi në përkrahje të Policisë së Shtetit përsa kohë zbaton ligjin. Policia ka detyrë të kapë keqbërësit, është drejtësia që vendos. Përveç njeriut që akuzohej si pengmarrës, aty është vrarë dhe një qytetar i pafajshëm” . Sipas Ristanit, “Artan Didi jo vetëm që nuk duhet të jetë hero, por duhet të jetë në bankën e të akuzuarve. Evropa dhe ne si shtet evropian e kemi hequr dhe dënimin me vdekje, jo më të stimulojë situata të tilla ku policia vret pa gjyq. Po bëheni gjaksorë, po përkrahni ata që vrasin njerëz të pafajshëm.” Ngjarja për të cilën opozita akuzon kreun e policisë Artan Didi se ka qëlluar mbi një të pafajshëm ndërsa zbriste nga autobusi, ka ndodhur në Qafë Krrabë në 28 prill të vitit 1999, ku u vra pengmarrësi i mjetit Flamur Pisli dhe një shtetas grek.

Share Button