“Via Egnatia”, përurohet shtegu i ri turistik

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi përuroi shtegun e ri turistik “Via Egnatia” në Bradashesh të Elbasanit.

Në ceremoninë ku ishin të pranishëm kreu i bashkisë Elbasan, përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Turizmit, deputetë të zonës dhe mbi 150 tour operatorë, ministri Klosi shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në një aktivitet kaq të rëndësishëm që ndërthur turizmin dhe historinë.

Pas vlerësimit të shtegut të ri, kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se është e pafalshme lënia në këtë situatë e vendeve historike të cilat duhet të dalin nga errësira.

Më tej, ministri Klosi garantoi se Rruga Egnatia si një destinacion turistik do të rehabilitohet në një projekt të plotë që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e turizmit jashtë sezonit. Në fund të fjalës së tij ministri Klosi tërhoqi vërejtjen për mbetjet në zonat rurale të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e turizmit duke siguruar bashkëpunim me bashkitë për rehabilitimin e mjedisit.

Ministri Klosi u uroi një udhëtim të mbarë të gjithë 150 operatorëve nga vendi dhe rajoni që ditën e diel do të zhvillojnë të parën ecje në shtegun e ri “Via Egnatia”

Share Button