Vëzhgimi: të diplomuarit duan shtetin, më pak në privat

Sektori publik është punëdhënësi më i madh sa i përket të personave që kanë përfunduar arsimin e  lartë. Studimi i realizuar nga Komisioni Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor që përfshin edhe Shqipërinë tregon se ky sektor ka dendësinë më të lartë të numrit të të diplomuarve (79%) në krahasim me sektorin privat (53%). Por, kjo shifër ndryshon në varësi edhe të sektorëve. Prodhimi dhe ndërtimi kanë numrin më të ulët të të diplomuarve (respektivisht 37% dhe 35%) ndërsa sektorë si ai i shërbimeve shkencore dhe arsimore e kanë më të lartë këtë pjesëmarrje (90% dhe 88% respektivisht).

Numri i ulët i të diplomuarve në sektorin privat tregon se ai bazohet më shumë te metodat me vlerë të ulët të shtuar dhe me fuqi punëtore pak të kualifikuar.

Shembulli kryesor është sektori i prodhimit të këpucëve.

Sondazhi mbuloi 209 punëdhënës të të gjitha madhësive.

Shkalla në të cilën punëdhënësit individualë sigurojë vende pune për të diplomuarit ndryshon në të gjithë sektorët dhe format e pronësisë. Kështu punëdhënësi më i madh në sektorin e këpucëve me 1,710 të punësuar ka vetëm 35 të diplomuar, ndërsa në sistemin bankar, kompania më e madhe nga 1,300 të punësuar, 1,200 janë të diplomuar. Në sektorin publik, punëdhënësi më i madh ka 379 të punësuar, nga të cilët asnjë nuk është i diplomuar, ndërsa në sektorin e dytë më të madh publik punëdhënësi më i madh ka 360 të punësuar nga të cilat 300 janë të diplomuar.

Burimi: Revista “Monitor”

Share Button