Vendimi/ Ja kategoritë që përfitojnë falas matësit e ujit

Qeveria miratoi vendimin për subvencionimin e tarifës së lidhjes së kontratës dhe të vendosjes së matësve të ujit për kategoritë në nevojë.

Kategoritë në nevojë, që përfitojnë nga subvencionimi i lidhjes së kontratave dhe të vendosjes së matësve të ujit janë, si më poshtë vijon:

a) Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar;

b) Familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pagesë të aftësisë së kufizuar, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, dhe që nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

c) Familjet që kanë në përbërje anëtarë që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar;

ç) Kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose që përfitojnë pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

Familjet që përfitojnë nga subvencioni,  të cilat nuk disponojnë një kontratë të lidhur me ujësjellës-kanalizimet, sh.a., do të përfitojnë lidhjen e kontratës së ujit pa pagesë.

Këto familje, të cilat nuk janë të pajisura me matës të ujit në banesë, do të përfitojnë vendosjen e matësve pa pagesë.

Listat e kategorive, ujësjellës-kanalizime, sh.a.-ja t’i marrë zyrtarisht brenda 7 (shtatë) ditëve të para të muajit nga bashkia e zonës së shërbimit të ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., në bazë të të cilave të bëhen lidhja e kontratës dhe vendosja e matësve.

Kategoritë e përcaktuara deklarojnë pranë ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., se nuk disponojnë një kontratë të lidhur dhe/ose nuk janë të pajisur me matës në banesë dhe kërkojnë të pajisen me to. Ujësjellës-kanalizime, sh.a.-ja, kryen verifikimet përkatëse me listën që disponon të abonentëve ekzistues.

Subvencionimi i ujësjellës-kanalizimeve, sh.a., të mbulohet nga bashkia përkatëse, në përputhje me dokumentacionin që vërteton kontratën e lidhur dhe matësit e vendosur për kategoritë e përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2018, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, programi “Furnizim me ujë dhe kanalizime”, zëri “Subvencione”.

Share Button