Vendi përfshihet nga zjarret, 17 vatra në Tiranë, Vlorë, Elbasan, Berat e Pogradec

Një sipërfaqe e madhe pyjore është përfshirë nga flakët në malin e Dajtit pasditen e djeshme, ndërsa pas disa orësh ka filluar ndërhyrja me helikopter dhe situata është normalizuar.

Ndërsa në Pogradec, një punonjës i bashkisë ka mbetur i plagosur si pasojë e shpërthimit të një objekti ende të papërcaktuar gjatë shuarjeve të zjarrit që kishin rënë në fshatin Pojskë. Policia njoftoi ditën e djeshme se i plagosur ka mbetur 57-vjeçari me inicialet A. B., ndërsa është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërkohë në kryeqytet si pasojë e flakëve të rëna në malin e Dajtit rrezikonte të digjej një objekt i rëndësisë së veçantë, ku ruheshin objekte të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa 60 forca të Gardës së Republikës janë vënë në aksion për shuarjen e zjarrit. Mësohet se është dashur edhe ndërhyrja nga ajri e helikopter për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë në vend janë shënuar rreth 17 vatra zjarri si pasojë e të nxehtit afrikan, ndërsa sipas shërbimit meteorologjik shqiptar temperaturat do të vijojnë të jenë në rritje në ditët në vijim, teksa do të shkojnë deri në 43 gradë. Më problematike mbetet situata në vendin e quajtur ‘Maja e Qorres’, në afërsi të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Për këtë janë angazhuar 2 helikopterë për të shuar zjarrin, pasi për shkak të vështirësive të terrenit nuk mund të ndërhyhet nga rrugë tokësore dhe situata është vënë nën kontroll. Gjithashtu në Dibër, në fshatin Zdojan ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë frutore.

Ndërkohë në Elbasan në fshatin Shijon, u dogj një sipërfaqe rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 5 rrënjë ullinj, por ndërhyrja e zjarrfikësve neutralizoi situatën. Gjithashtu në Berat u dogj një sipërfaqe prej rreth 1 ha me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj. Në të gjithë territorin janë evidentuar rreth 17 vatra zjarri, por falë ndërhyrjes së forcave të emergjencës civile situata është vënë nën kontroll.

Share Button