Veliaj: Kënd lojrash dhe hapësira për fëmijët në çdo cep të Tiranës

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se ky është një tjetër investim që vjen në partneritet me sipërmarrjen private dhe që shkon në favor të më të vegjëlve të qytetit.

“Ashtu siç kemi premtuar, teksa presim 1 qershorin për të hapur këndin e lodrave te Parku i Liqenit, kemi nisur punën te ‘Mine Peza’ dhe ky është sheshi i dytë nga 12 të tilla që do të kemi në të gjitha njësitë urbane të Tiranës. Më vjen mirë sepse kjo është një lagje relativisht e re. Të gjitha pallatet rreth Maternitetit të Ri janë ndërtuar në 20 vitet e fundit. Kjo do të thotë se ka shumë çifte të reja dhe njerëz me fëmijë, të cilët s’kanë ku të luajnë”, tha Veliaj. Ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që, ashtu si edhe te Parku i Liqenit, të shtojë hapësirat për fëmijët në çdo lagje.

“Besoj se i jemi përgjigjur të gjithë atyre që kanë interes real për fëmijët sepse nuk do të zgjedhim mes një këndi te liqeni ose këndeve nëpër lagje. Ne do të bëjmë edhe këndin te liqeni, edhe këndet e lagjeve, si një mënyrë e mirë për të nxitur një jetë të shëndetshme, aktive, një jetë sportive, në një qytet i cili është i mbipopulluar”, shtoi kryebashkiaku. Ai bëri të ditur se këndet e para do të jenë gati brenda verës, ndërsa 12 projektet do të synohet të përfundojnë brenda vitit.

Share Button