Vazhdojnë kërkimet për avionin e zhdukur malajzian

Zona e kërkimeve për avionin e zhdukur malajzian është ngushtuar dhe do të hyjë në një “pikë kritike” në dy ditët e ardhshme, deklaroi ministri malajzian i Transporteve. Ministri Hishamudin Hussein deklaroi se një mjet nënujor, që funksionon si droni ajror, do të përfundojë kërkimet në zonë brenda javës së ardhshme. Mini-nëndetësja “Bluefin 21” deri tani, pas gjashtë misionesh, nuk ka gjetur asgjë. Avioni i “Malaysia Airlines” u zhduk nga radarët më 8 mars teksa po fluturonte nga Kuala Lumpuri për në Pekin me 239 persona në bord. Mini-nëndetësja “Bluefin” po harton zonën detare në një rreze prej 10 kilometrash ku janë regjistruar sinjale akustike që dyshohet të kenë ardhur nga kutitë e zeza. Mjeti nënujor po vepron në një thellësi që kalon 4 mijë metrat.
Ministri Hussein tha se është kërkimet gjatë së shtunës dhe të dielës do të jenë vendimtare. “Ngushtimi i rrethit të kërkimit për sot dhe nesër ka arritur në një pikë kritike”, tha ai. “U bëj thirrje të gjithëve në mbarë botën që të lutën shumë që ne të gjejmë diçka mbi të cilën të punojmë në ditët e ardhshme”, vijoi ministri. Duke përdorur të dhëna satelitore, autoritetet kanë arritur në përfundimin se avioni e përfundoi udhëtimin e tij kur ndodhej pranë qytetit të Perthit, në perëndim të Australisë, dhe u rrëzua në jug të Oqeanit Indian. Megjithatë, ato nuk e dinë përse avioni fluturoi kaq gjatë jashtë kursit dhe zbulimi i kutive të zeza shihet si çelësi për të zbuluar se çfarë ndodhi.

Share Button