Ushtria tajlandeze merr në pyetje politikanët

Liderja e rrëzuar e Tajlandës, Yingluck Shinawatra është thirrur për sqarime nga regjimi ushtarak në Bangkok, që ka marrë kontrollin e vendit përmes një grushti shteti. Zonja Yingluck është një nga mbi 100 figurat politike që janë thirrur nga ushtria, e cila u ka ndaluar 155 personave, mes të cilëve disa politikanë, që të largohen nga vendi.
Ditën e enjte ushtria pezulloi kushtetutën e vendit, ndaloi mbledhjet në grup në qytet dhe arrestoi disa politikanë, duke thënë se në vend duhet të kthehet normaliteti pas trazirave. Ditën e premte, zonja Yingluck la një lokacion ku ishte thirrur dhe u drejtua për në një tjetër stacion ushtarak. Ende nuk dihet nëse ajo ishte e arrestuar, ndërkohë që shumë deputetë pro-qeveritarë janë fshehur. Grushti, që erdhi pas muajsh të tërë protestash anti-qeveritare, ka shkaktuar reagime kritike në rang ndërkombëtar. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se nuk mund të ketë asnjë justifikim dhe se ndihma e Uashingtonit prej 10 milionë dollarësh mund të pezullohej. “Forcat e Armatosura, ato Ajrore Mbretërore dhe policia do të kujdesen për rivendosjen e rendit publik dhe do të sigurojnë vazhdimin e reformave të nisura tashme”, tha shefi i ushtrisë në fjalimin e tij të transmetuar në televizionin kombëtar. Që prej muajit nëntor, vendi ishte ngërthyer në një rreth vicioz përplasjesh mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të qeverise. Episodet e dhunës nuk munguan, dhe as viktimat, përleshjet e përgjakshme mes dy palëve i morën jetën të paktën 30 vetëve. Në fillim të majit Gjykata Kushtetuese largoi nga posti kryeministren Yingluck Shinawatra nën akuzat për abuzim me pushtetin. Që atëherë opozita është duke u përpjekur të përmbysë qeverinë kalimtare të partisë tajlandeze Puea.Mbështetësit e qeverisë, nga ana tjetër, kërcënojnë me luftë civile. Drejtuesit e grushtit të shtetit pezulluan kushtetutën dhe urdhëruan kryeministrin në detyrë dhe kabinetin e tij të raportojnë tek ushtria. Dëshmitarët thonë se ne këtë pikë u arrit pasi pjesëmarrësit në bisedime u larguan nga ushtarët për shkak se nuk u arrit dot një kompromis mes kundërshtarëve dhe përkrahësve të Shinawatres.

Share Button