Ushqimet që ju mbrojnë nga dielli

Kur lëkura është e ekspozuar së tepërmi ndaj diellit, vjen deri te krijimi i radikaleve të lira të cilat e dëmtojnë indin lëkuror dhe zvogëlojnë elasticitetin e lëkurës. Si shenja të dukshme të dëmtimit të lëkurës janë formimi i rrudhave, njollave të errëta dhe plasaritjeve nga dielli. Megjithatë, më shumë duhet të shqetësohemi për atë të cilën nuk e shohim me sy: ato janë dëmtimet të cilat janë pasojë e veprimit të rrezeve ultravjollcë gjatë rrezitjes në diell dhe të cilat e rrisin rrezikun për zhvillimin e kancerit të lëkurës.

Studimet e reja kanë treguar se përbërësit e ndryshëm ushqimor mund të kenë ndikim të dukshëm në mbrojtjen e lëkurës nga dëmtimi, si edhe mund të ndihmojnë në ripërtëritjen e lëkurës së dëmtuar, dhe në këtë mënyrë ta parandalojnë rrezikun për zhvillimin e kancerit të lëkurës. Në eksperimentet klinike më së shumti janë analizuar veprimet e antioksiduesve si: beta-karotenit, vitaminave A, C, E, pastaj të selenit dhe zinkut.

Beta-karoteni

Beta-karoteni është njëri nga antioksiduesit më të njohur, i cili është i pranishëm në produktet bimore dhe algat. Ky përbërës njihet edhe si “mbrojtës natyror nga dielli”, pasi e mbron lëkurën nga veprimi i rrezikshëm i rrezeve ultravjollcë, duke zvogëluar aktivitetin e radikaleve të lira të cilat, siç përmendëm, vijnë si pasojë e rrezatimit me rreze UV.

Rezultatet nga një numër i madh studimesh eksperimentale kanë treguar se beta-karoteni vepron në mënyrë mbrojtëse ndaj manifestimeve akute dhe kronike të dëmtimit të lëkurës, të cilat janë pasojë e ekspozimit në diell. Sipas disa studimeve, beta-karoteni zvogëlon dëmtimin e molekulës së ADN-së dhe në këtë mënyrë pengon zhvillimin e sëmundjeve degjeneruese.

Pavarësisht se ende diskutohet në lidhje me mekanizmin e veprimit, beta-karoteni është lëndë ushqyese konsumimi i të cilit rekomandohet para daljes në diell.

Vitamina C

Njëri nga zbulimet më të rëndësishme dermatologjike të kohëve të fundit është zbulimi i aftësive “kundërshtuese” të vitaminës C ndaj pasojave negative të rrezitjes në diell.
Radikalet e lira të grumbulluara shkaktojnë dëmtim të madh të indeve, veçanërisht të kolagjenit dhe elastinës, komponentëve ndërtues të lëkurës, duke shkaktuar në këtë mënyrë pasoja të ndryshme, si p.sh. formimin e rrudhave. Vitamina C, si një antioksidues i fuqishëm neutralizon radikalet e lira dhe në këtë mënyrë pengon dëmtimin e lëkurës. Përveçse parandalon dëmtimin, vitamina C luan rol të rëndësishëm edhe në regjenerimin e lëkurës së dëmtuar.
Sipas Shoqatës Amerikane të Dermatologëve, konsumimi ditor i 500-1000 mg vitaminë C në ditë mund të jetë shuam i dobishëm për mbajtjen e lëkurës së shëndoshë. Sinteza e kolagjenit mund të përmirësohet edhe me përdorimin e kremrave të cilat përmbajnë vitaminë C, edhe atë në formë të L-acidit askorbik, meqenëse vetëm në këtë formë vitamina C mund të depërtojë në shtresat e lëkurës dhe të shfaq efektin mbrojtës.

Vitamina E

Vitamina E ndryshe quhet edhe “vitamina e bukurisë”, pasi që nxit shumë reaksione kimike në organizëm të cilat përmirësojnë gjendjen e lëkurës sonë. Është antioksidues i fortë dhe ndikon në mënyrë efektive në të gjitha llojet e lëkurës.

Vitamina E ka këto efekte në lëkurë:

Bën njomjen e lëkurës;
Nxit përmirësimin e lëkurës së dëmtuar nga veprimi i radikaleve të lira;
Mbron lëkurën nga vepruesit e dëmshëm të ambientit;
Ndihmon në zvogëlimin e skuqjes së lëkurës pas ekspozimit të tepruar në diell;
Pengon krijimin e njollave të zeza;
Zvogëlon paraqitjen e rrudhave duke e mbajtur lëkurën të rrafsh për një kohë më të gjatë.
Përveç marrjes përmes tabletave orale, vitamina E mund të vendoset edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë në lëkurë, qoftë si vitaminë e pastër ose si pjesë e losionit për rrezitje. Në rast të vendosjes së drejtpërdrejtë të vitaminës E në lëkurë, duhet pasur parasysh kohën e nevojshme që vitamina të depërtojë në shtresat më të thella të lëkurës. Me fjalë tjera, vitaminën E duhet vendosur në lëkurë 10 deri 20 minuat para daljes në diell. Sipas disa studimeve vendosja e vitaminës E së bashku me vitaminën A, mund të ofrojë efekt edhe më të mirë sesa vendosja e tyre veç e veç.

Vitamina A

Vitamina A në lëkurë gjendet në sasi të vogla, mirëpo ajo është shumë e nevojshme për të pasur lëkurë të shëndoshë. Ajo luan rol kryesor në rritjen dhe zhvillimin e qelizave të lëkurës, si edhe vepron në defektet e shkaktuara nga rrezatimi me rreze UV. Qëndrimi i tepërt në diell mund ta shkatërrojë vitaminën A në lëkurë, me ç’rast mund të zhvillohet edhe deficit (mungesë e vitaminës A) që për pasojë mund të ketë paraqitjen e njollave të errëta, rrudhave, luspimit të lëkurës, ndërsa në rastet më të rënda mund të paraqiten lezionet prekanceroze.

Edhe pse rezultatet nga studimet e ndryshme kanë treguar se vitamina A ka një rol të rëndësishëm në mbajtjen e lëkurës së shëndoshe dhe në parandalimin e kancerit, mekanizmi i këtij veprimi si edhe lloji i vitaminës A e cila do të kishte ndikim më të mirë, mbetet i panjohur.

Është mirë që vitamina A të jetë pjesë e ushqimit të shëndetshëm, ose të merren në formë të suplementëve antioksidues, edhe atë në kombinim me vitaminën C dhe E, sepse vitamina C njëkohësisht ndikon në regjenerimin e vitaminës E si edhe në metabolizmin e vitaminës A.

Përveç ndikimit të shumë të rëndësishëm në mbajtjen e lëkurës së shëndoshë, antioksiduesit: beta-karoteni, vitaminat C, E, A, seleni dhe minerali i zinkut, në muajt veror organizmit mund t’i ofrojnë edhe një rezistencë të fuqishme dhe të nevojshme imunologjike, duke pasur parasysh se edhe imuniteti bie gjatë qëndrimit në diell.

Ushqimet që shërbejnë si burime:

Beta-karoteni: pemët dhe perimet;
Vitamina C: brokoli, piperi i kuq, trëndafili i egër, dredhëzat, limonët;
Vitamina E: vaji i drithërave, farat, vajrat bimore, vezët, perimet, arrat;
Vitamina A: mëlçia, qumështi dhe produktet e qumështit;
Seleni: produktet nga deti, drithërat, vezët, hudhrat;
Zinku: produktet nga deti, mishi i kuq dhe mishi i shpezëve. /MjekuNet/

Share Button