Uragani Maria në Porto Riko, rritet numri i viktimave

Është rritur në 34 numri i personave që kanë humbur jetën për shkak të uraganit Maria në Porto Riko, që ka shkaktuar dëme të mëdha, raporton Anadolu Agency (AA).

Guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas vizitës së shkurtër që presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi në rajon, ka konfirmuar se është rritur në 34 numri i personave që kanë humbur jetën.

Ndër të tjera Rossello ka theksuar se uragani i cili goditi rajonin më 20 shtator me erë që arriti shpejtësinë 250 km në orë, ka shkaktuar një dëm prej 90 miliardë dollarë në Porto Riko.

Ai është shprehur se në vend ende nuk ofrojnë energji elektrike 95 për qind e rrjeteve elektrike, dhe ka bërë të ditur se shpresojnë që deri në fund të këtij muaji furnizimi me energji elektrike të arrijë në 25 për qind.

Presidenti i SHBA-ve, Trump, në një vizitë të kryer në rajon ka përgëzuar bashkitë për masat që kanë marrë në Porto Riko, duke rikujtuar se uragani Katrina e cila goditi New Orleans në vitin 2005 ka shkaktuar vdekjen e 1.833 njerëzve.

Share Button