UNESCO-ja miraton rezolutën kundër Izraelit, e quan zyrtarisht “forcë pushtuese”

Bordi Ekzekutiv i Organizatës Edukative, Shkencore dhe Kulturore të Kombeve të Bashkuara (UNESCO) mori ditën e martë një vendim shumë të rëndësishëm.

Mbledhur në kryeqytetin Paris të Francës, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s miratoi një rezolutë, e cila e përshkruan Jerusalemin si “të pushtuar” duke sfiduar kështu sovranitetin e Izraelit mbi qytetin dhe duke thënë se ai është “tërësisht palestinez”.

UNESCO-ja e miratoi rezolutën e titulluar “Palestina e Pushtuar” me 22 shtete anëtare që votuan në favor, 10 kundër dhe 23 abstenim.

Hartuar nga Sudani, Katari, Omani, Maroku, Libani, Egjipti dhe Algjeria, kjo rezolutë pohon se qyteti i vjetër i Jerusalemit është “krejtësisht palestinez” dhe thekson trashëgiminë e tij historike dhe të shenjtë “myslimane, të krishtere dhe hebraike”.

Vendimi e përshkruan gjithashtu Izraelin si një “forcë pushtuese”, e cila nuk ka sovranitet mbi qytetin dhe përpiqet të ndryshojë strukturën e tij me çdolloj praktike administrative e gjyqësore të jashtëligjshme.

Për më tepër, rezoluta pohon karakterin islamik të Xhamisë së Ibrahimit në qytetin e Hebronit (Al-Khalil) dhe të Varrit të Rakelës në qytetin e Betlehemit (Bayt Lahm).

Ajo i kërkon Izraelit që t’u japë fund urgjentisht aktiviteteve të tij ilegale në Jerusalem duke renditur si më kryesore mes tyre hapjen e tuneleve, kontrollet fizike dhe ndërtimet pa bazë ligjore.

Në mesin e 22 shteteve, të cilat votuan në favor, krahas atyre hartuese të rezolutës, u renditën gjithashtu Brazili, Kina, Rusia dhe Suedia.

Kurse vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Italia dhe Holanda ishin në mesin e atyre 10 që votuan kundër.

Shefi i byrosë politike të Hamasit, Halid Meshal, dokumentin në fjalë me 5 faqe dhe 42 nene e shpalosi në Katar, ku jeton në ekzil…
Lëvizja Palestineze e Rezistencës Islamike, Hamas, njoftoi se e ka pritur me shumë kënaqësi këtë vendim të UNESCO-s.

Abdul Latif al-Qanu, një nga zëdhënësit e Hamasit, bëri thirrje që kjo rezolutë të përvetësohet dhe të vihet në praktikë pa humbur kohë në vendet arabe, në botën islame dhe në komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi, si dhe që të ndalen të gjitha llojet e gërmimeve dhe aktiviteteve, të cilat synojnë judaizimin e Xhamisë Al-Aksa.

Më herët të martën, në pritje të miratimit të rezolutës, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se vendi i tij nuk ka besim tek UNESCO-ja duke e cilësuar rezolutën si “absurditet”.

“S’ka njerëz të tjerë në botë për të cilët Jerusalemi është aq i shenjtë dhe i rëndësishëm sa për popullin hebre”, shtoi ai.

Izraeli e pushtoi Jerusalemin Lindor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Në mënyrë të njëanshme ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 duke e cilësuar atë si kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandarë”, një vendim që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Share Button