Ukrainë, vriten 11 ushtarë në Donjeck

Qeveria e Ukrainës ka konfirmuar sulmin vdekjeprurës ndaj ushtarëve në rajonin lindor të Donjeckut, teksa raportimet e fundit bëjnë fjalë për të paktën 11 ushtarë të vdekur. “Terroristë” të armatosur rëndë sulmuan një pikë kontrolli në zonën Volnovakha, duke vrarë e duke plagosur disa ushtarë, tha Ministria e Mbrojtjes. Raportohet për 11 trupa të pajetë në vendngjarje, ndërsa një uebsajt rus i lajmeve e çon numrin në 15 të tillë. Separatistët janë përleshur me forcat e sigurisë në Donjeck prej javësh. Si Ministria e Mbrojtjes, ashtu edhe gazetari ushtarak ukrainas, Dmytro Tymchu, fajësoi për sulmin “terroristët”, një term i përdorur zakonisht nga zyrtarët ukrainas për separatistët e armatosur pro-rusë në Donjeck dhe në rajonin tjetër lindor të Luhanskut. Burime ruse, uebsajti pro-Kremlinit “Lifenews”, citoi një burim të paidentifikuar policor të ketë thënë se janë vrarë 15 ushtarë dhe janë plagosur 35 të tjerë. Ukrainasit do të votojnë në zgjedhjet presidenciale të dielën, për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, por votimi në Donjeck dhe Luhansk rrezikohet seriozisht nga trazirat. Zgjedhjet janë thirrur pasi presidenti i fundit i zgjedhur, Viktor Yanukovych, u rrëzua nga pushteti në muajin Shkurt, pas protestave masive kundër politikave të tij pro-ruse. Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat pranë kufirit me Ukrainën të tërhiqeshin në bazat e tyre të përhershme, javën e kaluar. Korrespondentët thonë se lëvizja e ushtarëve, ku përllogariten rreth 40 mijë të tillë, mund të ndihmojë në uljen e tensioneve në Ukrainë.

Share Button