Ukrainë, vazhdon operacioni kundër separatistëve

Ministri i përkohshëm i mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Koval, thotë se forcat qeveritare tashmë kanë “pastruar” pjesët në Ukrainën Lindore nga separatistët dhe do ta vazhdojnë ofensivën derisa të ripërtrihen paqja dhe rendi.

Këto komente ai i bëri sot në Kiev, një ditë pasi 14 ushtarë të qeverisë, përfshirë edhe një gjeneral të armatës, u vranë pasi separatistët pro-rusë rrëzuan një helikopter ushtarak.

“Forcat tona të armatosura i kanë kompletuar misionet e përcaktuara dhe krejtësisht i kanë pastruar pjesët jugore dhe perëndimore të rajonit të Donjeckut dhe pjesën veriore të rajonit Luhansk nga separatistët”- tha Koval, duke shtuar se detyrë e tyre është “sjellja e paqes dhe e rendit në rajon”.

Koval ndërkaq i ka përsëritur akuzat se Rusia po ndërmerr operacione speciale në pjesën lindore të Ukrainës.

 

Share Button