Ukrainë, rifillojnë operacionet kundër pro-rusëve

Presidenti i përkohshëm i Ukrainës Oleksandr Turchynov ka urdhëruar forcat e sigurisë të rifillojnë operacionet “anti-terroriste” në Ukrainën lindore, pasi një politikan lokal nga partia e tij dhe një person tjetër u gjetën të vdekur me shenja të torturës.

Turchynov tha në një deklaratë se trupa të torturuar brutalisht janë gjetur pranë qytetit të Slaviansk-ut, që mbahet ende nën kontrollin e militantëve pro-rusë.

Një prej tyre ishte i Volodymyr Rybak, një anëtar i partisë “Batkivshchyna” të presidentit Turchynov, i cili ishte rrëmbyer së fundmi dhe që raportohet i vdekur

Urdhëri u bë të martën, vetëm disa orë pas largimit të nënpresidentit amerikan Joe Biden nga kryeqyteti ukrainas.

Biden i bëri thirrje Moskës të respektojë premtimin e saj për të tërhequr mbështetjen për separatistët e armatosur pro-rusë brenda Ukrainës.

 

Share Button