Ukrainë, nis operacioni në lindje të vendit

Autoritetet ukrainase njoftuan nisjen e operacionit anti-terror në lindje të vendit, më synim dhënien fund të rrebelimit të separatistëve pro-rusë në këtë pjesë të vendit. Presidenti i përkohshëm i vendit, Olexander Turchynov tha se operacioni i forcave të sigurisë nisi në rajonin verior të Donetsk-ut dhe po vazhdon të zgjerohet gradualisht dhe kujdesshëm në të gjitha pjesët e tjera ku ditët e fundit janë identifikuar lëvizje separatiste edhe të armatosura.
Presidenti Turchynov deklaroi para parlamentit vendas se synimi i operacionit ishte mbrojtja e qytetarëve ukrainas dhe dhënies fund të terrorit, krimit dhe përpjekjeve për të përçarë vendin, ndërsa jashtë godinës mijëra protestues ishin mbledhur në shesh duke kërkuar një përgjigjje të fortë ndaj separatistëve pro-rusë në lindje. Pas ditësh të tëra ku vihej re mungesa e autoriteteve të Kievit në Luhansk, Kharkiv dhe Donetsk, të hënën mjetet e blinduara të ushtrisë ukrainase u panë duke patrulluar në rrethinat e Kharkivit. Nga ana tjetër, Moska paralajmëroi sërish autoritetet ukrainase kundër përdorimit të dhunës. Nga Kina ku ndodhet për një vizitë zyrtare, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se operacioni i Kievit në lindje rrezikon bisedimet mes BE-së, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës, që pritet të zhvillohen të enjten në Gjenevë. “Nuk mund që nga njëra anë të dërgosh tanket kundër qytetarëve të tu dhe nga ana tjetër të mbash bisedime”, tha ai.

Share Button