Ukraine, nis operacioni kundër aktivistëve prorusë

Qeveria e Kievit rinisi operacionin ushtarak kundër aktivistëve prorusë në qytetet lindore të Ukrainës, të cilët mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare. Presidenti Oleksandr Turchynov urdhëroi veprimet ushtarake, pasi trazirat nuk morën fund edhe me nënshkrimin e marrëveshjes së Gjenevës. Turchynov akuzoi Rusinë se po ndihmon terroristët të cilët vranë një politikan nga partia e tij. Trupi i pajetë i Vladimir Ryback së bashku me atë të një personi tjetër u gjendën në afërsi të qytetit Sllovjansk që mbahet nga aktivistët prorusë dhe thuhet se ai është torturuar. Në një tjetër incident, ministria e Mbrojtjes nënvizoi se një avion ushtarak mbikqyrës i Ukrainës është goditur me armë zjarri pasi ishte duke fluturuar në lindje. Në qytetin tjetër lindor, që mbahet nga aktivistët, Kramatorsk media lokale transmetoi plane të shefit të policisë së qytetit, i cili duket se po largohej i shoqëruar nga kryengritësit nga zyra e tij. Media njoftoi se ai u shoqërua për në Sllovjansk ku mbahet i ndaluar.
Në një sfidë të hapur ndaj apeleve të vazhdueshme nga Perëndimi që Rusia të tërheqë trupat e veta nga kufiri me Ukrainën, njësi të Ushtrisë ruse janë filmuar duke bërë manovra ushtarake e duke përdorur automjete të transportit ushtarak për të kaluar një lumë në rajonin Rostov mbi Don. Ndërkaq, një fregatë ushtarake amerikane e cila trasporton raketa është rikthyer në Detin e Zi pas një riparimi në Kretë. Por lëvizja e amerikanëve që duket si kërcënim është vendosja e 600 trupave në vendet balltike për të garantuar aleatët perëndimorë për angazhimin e Uashingtonit.

Share Button