Ukraina ofron aministi për aktivistët prorusë

Ukraina nuk do të ngrejë akuza për aktivistët rusë që mbajnë pushtuara ndërtesat qeveritare në dy qytetet lindore të vendit, nëse ata dorëzojnë armët. Presidenti i përkohshëm ukrainas, Olexander Turchynov bëri këtë ofertë si një mënyrë për zgjidhjen paqësore të konfliktit, ndërsa më herët ishte dhënë një ultimatum 48 orësh për aktivistët prorusë. Nëse ata nuk largohen nga ndërtesat e pushtuara, autoritetet thonë se do të përdorin forcën. Separatistët qëndrojnë ende në godinat qeveritare në Luhansk dhe Donetsk. Kievi thotë se veprimet e këtyre personave mund t’i japin Rusisë një pretekst për të ndërhyrë.Ukraina akuzon Moskën se po frymëzon trazirat edhe në lindje të vendit, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë. Bëhet fjalë për një zonë ku popullsia rusishtfolëse është gjithashtu mazhorancë. Por, Moska e ka mohuar një gjë të tillë. Ndërkaq, duke informuar parlamentin për operacionin antiterrorist në lindje, presidenti Turchynov tha se nuk ngrihen akuza ndaj personave që dorëzojnë armët dhe largohen. “Do ta bëj një gjë të tillë me urdhër presidencial”, premtoi ai.
Më herët, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov ranë dakord, sipas njoftimeve zyrtare, për nevojën e zgjidhjes së situatës së sigurisë në lindje të Ukrainës. Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina takohen javën e ardhshme për herë të parë për bisedime në lidhje me krizën.

 

Share Button