Ukraina ndalon atasheun rus

Një atashe ushtarak rus u ndalua në Ukrainë nën dyshimin e spiunazhit, e është urdhëruar të lërë menjëherë vendin. Emri i zyrtarit të shpallur “non grata” nuk është bërë i ditur. Nga Ministria e Jashtme ukrainase thuhet vetëm se atasheu ishte angazhuar në aktivitete, që nuk përputhen me statusin e tij diplomatik.Nga Kremlini nuk ka deri tani asnjë koment mbi incidentin, që vjen në mesin e përshkallëzimit të tensioneve mes Kievit dhe Moskës dhe situatës së pandryshuar në rajonet lindore të Ukrainës, ku separatistë të armatosur pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuara ndërtesat qeveritare në rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut. Pas pohimit të hapur, një ditë më parë, se forcat e tij nuk i qetësojnë dot trazirat, presidenti i përkohshem ukrainas, Oleksandr Turchynov deklaroi se objektivi kryesor tani është të ndalohet përhapja e tyre. Po nga Turchynov erdhi edhe njoftimi se Ukraina është në gatishmëri të plotë për luftë, në një kohë kur prania e gati 40,000 trupave ruse në kufi e mban të gjallë frikën e pushtimit.

Share Button