Ukraina mban bisedime për zgjidhjen e krizës

Ukraina do të mbajë bisedimet në tryezën e rrumbullakët në Kiev në kuadër të përpjekjeve për të arritur një zgjidhje të negociuar për krizën që ka përfshirë lindjen e vendit. Në bisedime do të përfshihen anëtarë të qeverisë së përkohshme dhe liderë rajonalë, por separatistët pro-rusë kanë refuzuar të bëhen pjesë e saj. Lëvizja është një lloj udhëzuesi i hartuar nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE. Ditën e martë, shtatë ushtarë ukrainas u vranë nga rebelët në lindje të vendit. Ministria e Mbrojtjes deklaroi se personelit ushtarak që po udhëtonte me një autoblindë ra në një kurth të ngritur
nga rebelët në qytetin Kramatorsk, në rajonin e Donetskut. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë edhe një rebel. Donetsku dhe rajoni fqinj i Luhanskut janë vetëshpallur republika të pavarura nga Ukraina pas referendumeve të mbajtura, të konsideruara ilegale nga Perëndimi.
OSBE deklaroi të hënën se presidenti rus Vladimir Putin mbështeti iniciativën. Grupi me bazë në vjenë caktoi diplomatin veteran gjerman, Wolfgang Ischinger si ndërmjetës për bisedimet e së mërkurës. Megjithatë, analistët deklarojnë se ende nuk është e qartë se kush do të përfaqësojë separatistët pro-rusë, që nuk kanë një figurë qëndrore.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, që aktualisht ndodhet në Ukrainë, deklaroi se shpresonte që bisedimet të sjellin në çarmatosjen e separatistëve dhe në përmirësimin e atmosferës në prag të zgjedhjeve presidenciale të 25 majit.

Share Button