Turqia, vendi që ofron më shumë ndihma sipas të ardhurave kombëtare

Sipas Raportit Global të Ndihmave Humanitare 2017, Turqia është vendi i dytë që ka ofruar ndihmë humanitare vitin e kaluar.

Sipas një deklarate me shkrim të Drejtorisë Turke për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), Turqia, e cila nga vend që pret ndihmë është shndërruar në vend “nga i cili pritet ndihmë”, sipas Raportit Global të Ndihmave Humanitare 2017 që u publikua sot është vendi i dytë që ka ofruar më së shumti ndihmë humanitare vitin e kaluar pas SHBA-ve. Konkretisht Turqia ka ofruar ndihmë në vlerë gjashtë miliardë dollarë, kurse SHBA-të 6,3 miliardë dollarë.

Sipas raportit, i cili publikohet për herë të 17-të nga Iniciativat Zhvillimore me qendër në Britani që çdo vit përgatit hartën e ndihmave humanitare të ofruara, pas SHBA-ve dhe Turqisë radhiten Britania, institucionet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Gjermania.
Ndihmat humanitare të ofruara nga Turqia në vitin 2014 kishin arritur vlerën 3,2 miliardë dollarë, që tregon se ndihmat e saj vitin e kaluar janë dyfishuar.
Në vitin 2013, 2014, 2015 Turqia ishte radhitur e treta për nga ndihmat humanitare të ofruara, kurse vitin e kaluar në vendin e dytë.

Gjithashtu, Turqia në vitin 2015 ka ndarë 0,75 për qind të të ardhurave kombëtare për ndihmë humanitare, dhe edhe një herë është bërë “Shteti më bujar”. Turqia është vendi që ofron më së shumti ndihmë sipas të ardhurave kombëtare. Pas saj radhiten Emiratet e Bashkuara Arabe me 0,18 për qind dhe Luksemburgu me 0,15 për qind.

Një e pesta e ndihmave në botë është nga Turqia

Sipas raportit, teksa në vitin 2015 shuma e ndihmave humanitare në botë ka qenë 25,7 miliardë dollarë, në vitin 2016 ajo ka arritur në 27,3 miliardë dollarë.
Ndihma humanitare prej 6 miliardë dollarësh e realizuar nga Turqia përbën mbi një të pestën e ndihmave të ofruara botërisht.

Më së shumti ndihma Sirisë

Më së shumti ndihmë në botë i është dhuruar Sirisë, gjegjësisht ndihmat ndaj këtij shteti kanë arritur vlerën 2,14 miliardë dollarë. Siria ndiqet nga Jemeni me 1,5 miliardë dollarë ndihma të pranuara, Jordania me 956 milionë dollarë, Sudani Jugor me 935 milionë dollarë dhe Iraku me 888 milionë dollarë.
Turqia, e cila që nga dita e parë ka zbatuar politikë për hapjen e dyerve të prekurve nga kriza e Sirisë pa marrë parasysh fenë, gjuhën dhe racën, është bërë vendi që ka strehuar më së shumti refugjatë. Në 23 qendra strehimi të themeluara nën koordinimin e AFAD-it, Turqia plotëson të gjitha nevojat e refugjatëve sirianë.

Krahas nevojave themelore siç janë strehimi dhe shëndetësia, në qendrat e strehimit të AFAD-it ofrohen edhe kurse profesionale dhe bëhen fushata sensibilizuese rreth martesave të hershme.

Për zbutjen e dhimbjeve të refugjatëve sirianë dhe për mbajtjen e tyre në jetë, Turqia deri më tani ka shpenzuar mbi 25 miliardë dollarë, sipas standardeve të OKB-së. Ndërkaq, kontributi i komunitetit ndërkombëtar në këtë sakrificë të Turqisë ka qenë 526 milionë dollarë.

Anadolu Agency

Share Button