Turqia ndihmë për të plagosurit nga sulmi në Somali

Gjysmë Hëna e Kuqe e Turqisë ka filluar punimet në rajon për trajtimin e personave të plagosur në sulmet me bomba në Somali dhe për dërgimin e tyre në Turqi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të bërë nga Gjysmë Hëna e Kuqe Turke bëhet e ditur se në kryeqytetin Mogadishu të Somalisë është kryer sulmi më i madh terrorist i viteve të fundit. Ndër të tjera në deklaratë vihet në dukje se Turqia është mobilizuar me punimet e saj në mbështetje për të siguruar trajtimin mjekësor për qindra të plagosurit në sulmin e ndodhur si dhe për punimet e kërkim shpëtimit nëpër ndërtesata e shembura në sulm.

Gjysmë Hëna e Kuqe Turke krahas furnizimeve me produkte mjekësore të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë ka dërguar edhe ndihma humanitare si batanije dhe çadra.

Me një avion transportues të Forcave të armatosura të Turqisë i cili është ngritur në mesnatë nga Ankaraja, kanë mbërritur në rajon bashkë me ekipet e kërkim shpëtimit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD) edhe mjekët turq, për të shoqëruar të plagosurit të cilët mendohen të dërgohen në Turqi

Ndër të tjera bëhet e ditur se ekipi është i shoqëruar edhe nga zv.drejtori i përgjithshëm i Gjysmë Hënës së Kuqe turke Alper Küçük, ku dhe njoftohet se ekipi i mbërritur në Mogadishur ka nisur edhe kontaktet me autoritetet lokale.

Drejtori i përgjithshëm i Gjysmë Hënës së Kuqe turke Dr. Kerem Kınık duke dënuar ashpër sulmin terrorist në Somali është shprehur se “Në sulm kanë humbur jetën edhe 5 punonjës vullnetarë të Kryqit të Kuq të Somalisë. Dënojmë ashpër terrorizmin i cili është armik i njerëzimit. Shpreh ngushëllimet për personat që kanë humbur jetën dhe shërim të shpejtë për të plagosurit”.

– Ministri turk i shëndetësisë arrin në Somali

Në ndërkohë, edhe ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Ahmet Demircan, ka arritur në Somali për përshpejtimin e koordinimit për transferimin e të plagosurve që do të dërgohen në Turqi për trajtim, si dhe për të ofruar mbështetje për zyrtarët somalezë.

Në një konferencë për media, Demircan tha se qeveria dhe populli i Turqisë ndan dhimbjen me popullin e Somalisë.

Ai theksoi se po punojnë për përmbushjen e procedurave të transferimit të të plagosurve dhe për ofrimin e mbështetjes së nevojshme mjekësore, në bazë të udhëzimeve të dhëna nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.

Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri i Somalisë, Mehdi Ahmed, theksoi se vizita e Demircan reflekton lidhjet e forta mes dy shteteve. Ai falënderoi Turqinë për, siç tha, humanitetin dhe mbështetjen e dhënë në një gjendje kritike për Somalinë.

Gjatë vizitës së tij, Demircan shoqërohet nga një delegacion prej 33 personash, që përbëhet nga zyrtarë shtetërorë dhe mjekë, infermierë dhe punonjës shëndetësorë.

Ndryshe, një kamion i mbushur me bomba shpërtheu në qendër të Mogadishut të shtunën, ndërsa shpërthimi u konsiderua si një nga sulmet më të përgjakshme terroriste në historinë e Somalisë.

Përgjegjësinë për sulmin në Mogadishu deri tani ende askush nuk e ka marrë përsipër, por sulme të ngjashme në vendin e Bririt të Afrikës më herët i ka kryer grupi terrorist Al Shabaab.

Share Button