Turqia arsimon 4000 fëmijë Rohingya në Pakistan

Fondacioni i Dijanetit të Turqisë po siguron shkollimin për 4.000 fëmijë të muslimanëve Rohingya në qytetin Karaçi të Pakistanit ka thënë koordinatori i projektit.

Ahmet Kandemir për Anadolu Agency (AA) tha se projekti, i cili në vitin 2015 kishte filluar me 25 kurse, tani përfshin 100 kurse.

Nxënësit e regjistruar në program mësojnë gjuhën urdu, anglisht, matematikë, religjion, kulturë dhe Kur’an. Librat dhe e gjithë mbështetja logjistike për shkollat ofrohet nga fondacioni.

Projekti ka për synim rajonet bregdetare Korangi dhe Malir të qytetit, ku pjesëtarët e popullsisë Rohingya jetojnë si punëtorë të lirë në industrinë e peshkimit.

Sipas ligjit të miratuar në Mijanmar në vitin 1982, komunitetit Rohingya u mohua shtetësia, shumica e të cilëve kanë jetuar në Mijanmar me gjenerata, duke i lënë ata pa shtetësi, duke u hequr lirinë e lëvizjes, të drejtën për arsim dhe shërbime dhe duke lejuar konfiskimin arbitrar të pronës së tyre.

Ata kanë ikur nga Mijanmari që nga mesi i vitit 2012, kur shpërtheu dhuna lokale në shtetin Rakhine midis budistëve etnik Rakhine dhe muslimanëve Rohingya.

Për vite me radhë, pjesëtarët e pakicës kanë ikur në vendet e afërta, duke përfshirë edhe Pakistanin.

“Rohingyat të cilët kanë ikur nga presioni politik në vendin e tyre, janë vendosur në brigjet lindore të Pakistanit”, tha Kandemir. “Këta njerëz nuk kanë të drejtë për shtetësi në Pakistan kështu që ata janë të privuar nga çdo lloj shërbimi që ofrohet nga qeveria”.

“Me ndihmën dhe donacionet që marrim nga populli turk ne mundohemi që këtyre fëmijëve t’u kthjemë shpresën për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Zafer Iqbal, drejtor menaxhues i partnerit të Dijanetit në Pakistan, nga OJQ World, tha se shkollat monitorohen nga drejtoria e arsimit.

“Familjet në këto zona nuk kanë patur kurrë mundësinë të dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla. Tani ata kanë një qëllim, kanë një shpresë”, tha Iqbal.

Share Button