Turqi, zbulohet rrugë antike e lashtë 2 mijë vite

Në kuadër të gërmimeve arkeologjike në Qytetin Antik Aigani në provincën Manisa të Turqisë, qytet ky që daton nga shekulli VIII para erës sonë, është zbuluar rrugë e gjatë 55 kilometra prej gurësh e cila thuhet të jetë shtruar dy mijë vite më parë, shkruan Anadolu Agency (AA).

Qyteti Antik Aigai është një nga 12 qytetet e Anadollit Perëndimor, shpjegon për AA Yusuf Sezgin, kryetari i komisionit gërmues.

Ai thotë se gërmimet në këtë rajon kanë nisur në vitin 2004 dhe se me zbulimet në këtë vend kanë siguruar të dhëna rreth jetës civile dhe sociale të qytetit antik.

Sipas Sezgin, qyteti ishte shndërruar në qendër atraktive kulturore dhe ekonomike e rajonit në epokën helene nga shekulli III para erës sonë, me ndihmë edhe të Mbretërisë së Pergamonit.

“Në gërmime zbuluam një rrugë antike të periudhës romake, të shekullit I të erës sonë”, tha Sezgin.

“Rruga në brigjet e Detit Egje tregon se ajo është përdorur mes Izmirit dhe Manisës dy mijë vite më parë”, tha Sezgin, duke shtuar se kjo rrugë në të ardhmen mund të përdoret për shëtitje të vizitorëve.

Ai tha se kjo rrugë fillimisht është përdorur si rrugë ekspeditash, ndërsa më pas për kalimin e karvanëve.

Sipas tij, rruga në qytetin antik është ndërtuar me përpikëri të lartë, duke përdorur blloqe të mëdhenj shkëmbinjsh në një mënyrë të veçantë.

Sezgin tha se nën rrugë po ashtu gjendet edhe sistem kanalizimi.

“Është interesant fakti që brenda këtyre kanaleve mund të ecim duke u zvarritur. Kanalizim të tillë nuk ka madje në shumë qytete të mëdha. Në afërsi të kësaj rruge gjendet Tempulli i Apolonit. Tempulli është ndërtuar në mënyrë që njerëzit t’i kryejnë ritet e tyre teksa ecin në këtë rrugë”, tha Yusuf Sezgin për AA.

Share Button