Turqi, nis përgatitja e teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe boshnjake

Në Universitetin e Thrakisë në Edrene të Turqisë ka filluar përgatitja e përmbajtjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të futen si lëndë zgjedhore në shkollat e Turqisë.

Profesorë të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake pranë fakultetit janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e teksteve pas miratimit të planprogramit të përgatitur.
Rektori i Universitetit të Thrakisë, Prof Dr. Erhan Tabakoğlu, duke folur për AA, rikujtoi se në kuadër të protokollit të nënshkruar vitin e kaluar me Ministrinë e Arsimit, detyra për përgatitjen e materialeve arsimore për gjuhët shqipe dhe boshnjake i ishte dhënë ketij universiteti.

Po ashtu, Tabakoğlu tha se edhe në Turqi do të mirëpritet fakti që gjuha dhe kultura shqipe dhe boshnjake vazhdojnë të jenë të pranishme në këto troje. Kjo gjendje, sipas tij, do ta nxisë edhe dëshirën për mësimin e gjuhës turke në Shqipëri dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Ndërkaq, Esin Ömer, anëtare e stafit akademik në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, thotë se pas përfundimit të teksteve shkollore, do të marrin mbështetje edhe nga Fakulteti Pedagogjik në aspektin teknik dhe nga fakulteti i arteve të bukura për vizatimet dhe ngjyrimet në tekste.

Edhe Cüneyt Nur, anëtar i stafit akademik në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Bosnjake, thekson se tekstet në fjalë do të përbëhen nga pjesë për lexim, të cilat, sipas tij, do të jenë të dobishme për ta zhvilluar komunikimin e përditshëm si dhe pjesë në lidhje me sintaksën dhe morfologjinë, duke marrë parasysh edhe aspektin kulturor.

Anadolu Agency

Share Button