Trupat e Kievit hyjnë në qytetin lindor të Kramatorskit

Trupat ukrainase në operacionin antiterror që po zhvillohet në qytetet lindore, për të rimarrë ndërtesat qeveritare që mbahen nga aktivistët prorusë, ia kanë dalë të hyjnë në qendër të Kramatorsk. Fusha ajrore e këtij qyteti i rimorr nga Kievi të martën, pas nisjes së operacionit të njoftuar nga presidenti. Tensioni është tepër i lartë, pasi Presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëroi se Ukraina është në prag të luftës civile. Ai i bëri këto komente gjatë një bisede telefonike me kancelaren gjermane,  Angela Merkel, pasi presidenti Olexander Turchynov shpalli operacionin antiterrorist.
Zyrtarët pranë të dy liderëve thanë se ata nënvizuan rëndësinë e bisedimeve të planifikuara për të enjten në Gjenevë mes diplomatëve nga Rusia, Bashkimi Europian, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina.
Sidoqoftë, zyrtarë perëndimorë dhe ukrainas e kanë akuzuar Rusinë se qëndron pas aktivizimit të lëvizjes separatiste në lindje. Moska e mohon me forcë një gjë të tillë. Shefi i sigurisë ukrainase deklaroi se përballë trupave të vendit të tij në operacion qëndron një kundërshtar serioz, shumë i aftë dhe profesional. Ai tha se persona të armatosur kanë kapërcyer kufirin nga Rusia për të organizuar rezistencë.
Aneksimi i Krimesë nga Moska u parapri nga prania e trupave me uniformë që besohet se kanë qenë rusë, edhe pse në një numër më të madh ngasa janë të pranishëm aktualisht në qytetet lindore të Ukrainës.
Kremlini e ka dënuar me forcë operacionin ushtarak të Kievit në lindje, si një shfaqje antikushtetuese e përdorimit të forcës ndaj protestuesve paqësorë.
Ka njoftime se në Kramatorsk ka pasur edhe të plagosur gjatë rimarrjes së qytetit, por deri më tani nuk është dëshmuar konfrontim i armatosur mes palëve.

Share Button