Trump: Mbështetje për Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në konferencën e përbashkët për media në Shtëpinë e Bardhë pas takimit me presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka thënë se mbështesin Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste dhe se pret me padurim të bashkëpunojë me homologun turk Erdoğan në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar kundër rreziqeve, raporton Anadolu Agency (AA).

Trump ka theksuar se mes SHBA-ve dhe Turqisë ekzistojnë marrëdhënie të thella që datojnë nga e kaluara e largët, si dhe ka shtuar se nuk e harrojnë faktin që ushtarët turq kanë luftuar së bashku me ato amerikanë gjatë Luftës së Koresë dhe se Turqia ka qëndruar kundër ekspansionizmit komunist dhe sovjetik.

“Është legjendar guximi i turqve në luftë”, tha Trump, duke theksuar më tej se edhe sot ekziston rrezik i ri nga terrorizmi, ndaj të cilit do të vazhdojnë të luftojnë së bashku.

“Populli turk në vitet dhe kohët e fundit është përballur me sulme të tmerrshme terroriste. Ne shprehim ngushëllimet tona për viktimat e këtyre sulmeve dhe i ofrojmë mbështetjen tonë popullit turk. Japim mbështetje për Turqinë në luftën kundër grupeve terroriste si PKK dhe DEASH dhe i ofrojmë siguri që të mos u lihet hapësirë e sigurtë grupeve terroriste”, ka deklaruar më tej Trump.

Trump theksoi se pret me padurim të bashkëpunojë me homologun turk në arritjen e paqes në Lindjen e Mesme dhe për të luftuar kundër rreziqeve të përbashkëta.

“Pres me padurim të bashkëpunoj me presidentin Erdoğan në arritjen e paqes dhe sigurisë në Lindjen e Mesme, në luftën kundër rreziqeve të përbashkëta dhe për një të ardhme dinjitoze për tërë njerëzimin”, ka thënë presidenti amerikan Trump.

Ndërkaq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik me Turqinë, Trump potencoi se dëshirojnë t’i forcojnë lidhjet ekonomike dhe tregtare mes dy shteteve. Ai shprehu bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të rindërtohen mbi themele ekonomike në një mënyrë që do të ishte në interesin e dy vendeve.

Trump ka shprehur vlerësime për përpjekjet e Turqisë në ndalimin e masakrave tmerruese në Siri, duke shprehur mbështetje për, siç tha, “çdo hap që zvogëlon dhunën në Siri dhe mundëson zgjidhje paqësore”.

– Simpatizantët e PYD/PKK-së u lejuan të protestojnë para Shtëpisë së Bardhë –

Teksa zhvillohej takimi Erdoğan-Trump, një grup simpatizantësh të PYD/PKK-së protestuan kundër takimit para Shtëpisë së Bardhë duke hedhur slogane në favor të oganizatës terroriste. Ndërkaq, vëmendje tërhoqi sjellja e ashpër e policisë ndaj disa qytetarëve turq që reaguan ndaj grupit të protestuesve.

Simpatizantët e organizatës terroriste mbanin në duar posterë të kreut të organizatës terroriste Abdullah Öcalan.

Nga ana tjetër, një grup qytetarësh turq që po ashtu u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë në shenjë mbështetjeje ndaj presidentit Erdoğan reaguan ndaj simpatizantëve të terrorit. Gjatë ndërhyrjes, policia tërhoqi vëmendjen me sjelljen e ashpër ndaj qytetarëve turq dhe përfaqësuesve të mediumeve.

Policia ka trajtuar me ashpërsi kameramanin e AA-së dhe ka kërkuar që qytetarët turq ta braktisin parkun Lafayyete para Shtëpisë së Bardhë, teksa lejoi që simpatizantët e organizatës terroriste të vazhdonin të protestonin në park.

Protesta që u zhvillua nën masa të rrepta policore vazhdoi gjatë kohës së mbajtjes së takimit.

Share Button