Trazira në Brazil në prag të Botërorit

Edhe pse jemi vetëm 5 ditë përpara fillimit të Kampionatit Botëror të futbollit në Brazil vazhdojnë protestat masive. Prej 2 ditësh punonjësit e metrove janë hedhur në protesta për rritje të pagave duke e kthyer transportin në një kaos të vërtet. Gjatë së premtes protestat degjeneruan në përleshje me forcat e policisë. Gati gjysma e stacioneve të metrosë në Sao Paulo ishin të mbyllura duke shkaktuar kaos në trafikun e qytetit më të madh të Brazilit, në të cilit do të luhet edhe ndeshja hapëse e Kupës së Botës. Më shumë se 200 kilometra
rrugë në këtë qytet ishin të bllokuara në orarin e pikut të mëngjesit.
Punëtorët kërkojnë një rritje të pagës të paktën 10%. Një raund i ri i negociatave ka dështuar dhe për pasojë protestat do të vazhdojnë.
Policia lëshoi gaz lotsjellës dhe u përlesh me protestuesit pranë një stacioni të metrosë në qendër të Sao Paulo. Një zëdhënës i policisë tha se policia ndërhyri pas protestuesit tentuan të futen në stacion.
Zyrtarët e FIFA-s u shprehën të premten se ishin të bindur në suksesin e Kupës së Botës, pavarësisht protestave të vazhdueshme. “Unë jam optimist se pas nisjes së turneut qytetarëve brazilian do t’i rikthehet humori”tha të enjten Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter.

Share Button