Transporti urban, abonetë rriten me 50 dhe 75%

Duke filluar nga 1 shkurti 2016, qytetarët e Tiranës do të paguajnë më shtrenjtë për të udhëtuar në transportin urban.

Bileta një udhëtimëshe do rritet me 10 lekë, por ato që do t’u kushtojnë më shtrenjtë qytetarëve janë abonetë mujore, pasi rritet me 75% aboneja e një linje dhe 50% aboneja e përgjithshme. Ndërkohë që rritje nuk do të ketë vetëm aboneja e studentit, e cila do vijojë të jetë 600 lekë, sa është aktualisht.

Ndryshimi i çmimeve të biletave ditore dhe mujore të transportit urban janë miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës në datën 30 dhjetor 2015. Javën që vjen këto vendime do të shkojnë për konfirmimin e ligjshmërisë te prefekti i Tiranës, Sadi Vorbsi, i cili sipas ligjit ka 10 ditë afat për konfirmim.

Por në një kohë që vetëm pak ditë na ndajnë nga rritja e çmimit të biletës, shërbimi i transportit urban në Tiranë lë shumë për të dëshiruar.

Sipas qytetarëve, problemet janë nga më të ndryshmet, por kryesorja është fakti se nuk respektohen oraret dhe të gjitha linjat janë të mbingarkuara, pasi autobusët tejmbushen me pasagjerë.

 

Share Button