Trajtimi i emigrantëve, AI kërkon sanksione ndaj Greqisë

 

Amnesty International i kërkoi Bashkimit Europian të vendosë sanksione ndaj Greqisë në lidhje me mosreagimin e Athinës për të zhdukur praktikën e nxjerrjes së refugjatëve dhe emigrantëve jashtë kufijve të saj. Me anë të një raporti të titulluar “Greqia, kufiri i shpresës dhe frikës”, organizata e të drejtave të njeriut kritikon ashpër Athinën se largon me forcë njerëzit që kërkojnë azil, duke nënvizuar se kjo është në kundërshtim me angazhimin e Greqisë për zbatimin e të drejtave ndërkombëtare. “Trajtimi i refugjatëve dhe emigrantëve në kufijtë e Greqisë është për të ardhur keq. Shumë shpesh, në vend që të gjejnë strehë, ata përballen me dhunë dhe ngacmime. Ka raste kur ata janë zhveshur, janë vjedhur, dhe janë vënë nën grykën e armëve ndërkohë që janë larguar me forcë në kufirin me Turqinë”, thonë drejtues të Amnesty për Europën. Sipas raportit, njerëzit që kryejnë veprime të tilla janë agjentë të qeverisë. Kështu, që konkludon raporti, Qeveria greke është përgjegjëse e plotë për veprimet e tyre.  Në raport përfshihen intervista të marra nga shtatori 2012 deri në prill të këtij viti me 148 emigrantë dhe refugjatë, të cilët tregojnë se janë deportuar dhunshëm jashtë kufijve. Sipas raportit, praktika e largimit të refugjatëve drejt shteteve nga ata vijnë, ndodh shpesh në kufijtë në verilindje sikundër edhe në ishujt e Egjeut. Në janar, 11 afganë e sirianë, tetë prej tyre fëmijë, humbën jetën kur një varkë u mbyt afër një ishulli grek.

Share Button