Tiranë: Reduktohet në 60% numri i qeseve plastike

Reduktimi i qeseve plastike është një nga projektet më të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës, që nisi zbatimin në muajin prill, pas 1 viti fushatë për mos përdorimin e tyre.

Por a është ulur përdorimi i qeseve tani që ato blihen me para?

“Kemi rreth 50 subjekte që nuk shpërndajnë më qese falas. Kemi reduktimin në masën 60% të përdorimit të qeseve. Prodhuesit e qeseve thonë gjithashtu se sot kanë një kërkesë tre herë më të vogël për qese”, deklaron Diana Mile, drejtoreshë e Mjedisit pranë Bashkisë së Tiranës.

Por bashkia e kryeqytetit ka një tjetër kërkesë për furrat e bukës dhe për pastiçeritë. Ato nuk do të lejohen të përdorin qese edhe pasi i kanë ambaluzuar produktet.

“Prodhuesit e bukës bashkë me shoqatën e tyre do të firmosin një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës për t’i shituar prduktet e brumit vetëm në ambalazhe letre”, thotë Mile.

Por cilat janë profilet e subjekteve që i janë bashkuar kësaj nisme?

“Së pari i janë bashkuar nismës ato biznese që janë më të strukturuara, ato që kanë shumë pika shitjeje. Impakti do të jetë edhe më i madh kur të bashkohen edhe dyqanet e vogla dhe tregjet”, shton Mile.

Share Button