Tiranë, grabitet makina që transportonte paratë e një kompanie

Makina e një shoqërie të ruajtjes dhe sigurisë fizike është grabitur  sot nga tre persona të armatosur e të maskuar. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, pak pas orës 10.00. Mësohet se makina e grabitur transportonte për në bankë paratë e një aktiviteti privat. Ende nuk dihet shuma e grabitur e parave, por policia tha se po punon bashkë me drejtuesit e kompanisë së grabitur për të llogaritur shumën e parave. Fillimisht grabitësit kanë goditur automjetin e kompanisë së sigurisë, me targat AA836JH. Ata e kanë goditur me forcë në pjesën e parë nga krahu i drejtuesit të mjetit, dhe nën kërcënimin e armëve u kanë marrë dy efektivëve të “Security” të gjitha paratë. Grabitësit e maskuar janë larguar me një automjet tip “Benz”, me targa AA 862 KK, të cilit i kanë vënë flakën në hyrje të fshatit Bërxullë. Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po heton për zbardhjen e plotë të kësaj grabitjeje dhe kapjen e autorëve.

Share Button