TIKA mbështetje Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka dhuruar pajisje teknike për Agjencinë e Aviacionit Civil të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e dorëzimit të mjeteve teknike në kuadër të projektit të TIKA-s “Mbështetje me pajisje teknike për Agjencinë e Aviacionit Civil të Maqedonisë”, të pranishëm ishin kryetari i departamentit të TIKA-s për Ballkanin dhe Evropën Lindore, Mahmut Çevik, koordinatori i TIKA-s në Shkup, Aytekin Ayden dhe drejtori i Agjencisë së Aviacionit Civil të Maqedonisë, Goran Jandreoski.

Nga TIKA për Agjencinë e Aviacionit Civil u dhuruan pajisje teknike për përmirësimin e kushteve të sigurisë, si dhe forcimin e kritereve dhe infrastrukturës teknike, konkretisht 30 kompjuterë dhe softuerë.

Në deklaratë për media, Çevik tha se kanë realizuar fazën e dytë të projektit të cilin TIKA e ka nisur në vitin 2015.

Ai ka rikujtuar se TIKA ka ofruar mbështetje thuajse në çdo sektor në Maqedoni prej 12 vitesh. “Në cilësi të Republikës së Turqisë dhe si organizatë për zhvillimin e shtetit të Turqisë, ne deri më sot kemi mbështetur përpjekjet zhvillimore të Maqedonisë në çdo sektor”, tha Çevik.

Ai theksoi se kësaj radhe projektin në sektorin e aviacionit civil e kanë realizuar nën përkujdesjen e bashkëshortes së presidentit Gjorgje Ivanov, Maja Ivanova, duke uruar që ky projekt të jetë i dobishëm për aviacionin civil të Maqedonisë.

Nga ana tjetër, Jandreoski tha se mbështetja nga TIKA vjen në mënyrë që agjencia të vazhdojë aktivitetet në mënyrë të sigurtë në sektorin e aviacionit civil.

Ai shprehu kënaqësi për bashkëpunimin në të kaluarën dhe tani dhe uroi që ky bashkëpunim të thellohet edhe më tepër në të ardhmen.

“Mbështetjen do ta justifikojmë në të ardhmen duke siguruar që në qiellin e Republikës së Maqedonisë të ketë sa më shumë fluturime, të zgjerohet bashkëpunimi me zyrtarët turq, me kompanitë e fluturimeve që fluturojnë në drejtim të Maqedonisë, në drejtim të aeroporteve të Maqedonisë”, theksoi Jandreoski.

Ndryshe, në vitin 2015 TIKA kishte ofruar mbështetje teknike prej 18 kompjuterësh, një softueri special dhe 15 tabletash.

Share Button