TI: Shqipëria, progres në luftën kundër korrupsionit

Shqipëria ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit. Është ky konkluzioni i organizatës ndërkombëtare Transparency International, e cila publikoi sot “Treguesin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2015”.

Në këtë raport janë përfshirë 168 vende të botës dhe siç transmeton “Zëri i Amerikës”, Shqipëria ka shënuar përparim më të madh duke u radhitur në vendin e 88-të me 36 pikë, ndryshe nga viti 2014 kur ishte në vendin e 110-të.

Kosova, e cila vitin e kaluar ishte po ashtu në vendin e 110-të, kësaj radhe është radhitur e 103-ta me 33 pikë, po aq sa kanë edhe Etiopia e Moldavia.

Me gjithë përparimin, Shqipëria dhe Kosova radhiten prapa vendeve të rajonit.

Sipas raportit, Mali i Zi radhitet në pozitën numër 61, Maqedonia 66, Serbia 71 dhe Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 76-të.

Në mesin e tyre, Maqedonia është ajo që ka rënë për dy vende, ndërsa të tjerat kanë shënuar përparim.

Share Button