Thirrja e gjuhëtarëve shqiptarë për mediat

THIRRJE GJITHË ORGANEVE TË SHTYPIT, RADIOVE DHE TELEVIZIONEVE                  NË GJUHËN SHQIPE

Pjesëmarrësit e konferencës shkencore me temë “Gjuha e shtypit”, të zhvilluar në Institutin Albanologjik të Prishtinës më 10 maj 2017 në hapjen e veprimtarisë së përvitshme “Java e Albanologjisë”, pasi dëgjuan kumtesat e programit dhe diskutimet rreth tyre, ku u vunë në dukje mjaft të meta dhe u shprehën shqetësime për gjuhën e shtypit, miratuan njëzëri thirrjen e mëposhtme.

Duke njohur dhe vlerësuar rëndësinë që ka gjuha e shtypit për zhvillimin e mëtejshëm të shqipes standarde, për pasurimin e saj me fjalë e shprehje të reja, për mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme dhe për ngritjen e kulturës gjuhësore të shoqërisë, e quajmë të nevojshme t’ju bëjmë thirrje për të treguar kujdesin më të madh për kulturën gjuhësore në shtypin e shkruar e të folur dhe për të bërë një kthesë të ndjeshme drejt përmirësimit të gjendjes së sotme. Kultura gjuhësore e shtypit dhe kujdesi për mbarëvajtjen e gjuhës shqipe në tërësi janë pa dyshim tipar themelor i qytetërimit tonë dhe shenjë domethënëse nderimi ndaj kësaj vlere të lartë kulturore të trashëguar e të ruajtur gjatë shekujve.

Prandaj e quajmë të nevojshme që për këtë qëllim:

  • Në çdo organ shtypi ose radio a televizion të ketë një person të cilësuar për kulturën gjuhësore, i cili të shërbejë edhe si ndërlidhës me institucionet dhe organizmat shkencorë të gjuhësisë shqiptare. Ai do të ketë detyrë: a) të përcjellë tek adresa elektronike e Qendrës së Studimeve Albanologjike (Tiranë), e Institutit Albanologjik të Prishtinës, e Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare (Tiranë) ose e Shoqatës së Gjuhës Shqipe të Kosovës (Prishtinë) pyetjet e kolegëve për çështje të paqarta a të dyshimta, b) të pranojë vërejtjet e këshillimet e gjuhëtarëve dhe të veprojë për zbatimin e tyre në praktikë.
  • Të krijohet shoqata e redaktorëve letrarë / lektorëve të shtypit, e cila të organizojë me forma të përshtatshme kualifikimin e mëtejshëm e të vijueshëm profesional të tyre në bashkëpunim me organizmat shkencorë-mësimorë në fushën e gjuhësisë.
  • Degët e gazetarisë në universitet t’i japin rëndësi më të madhe formimit të thelluar gjuhësor të gazetarëve të ardhshëm dhe për këtë qëllim të përmirësojnë programet mësimore të lëndëve të gjuhës shqipe.
  • Në “Ligjin për shtypin” në Shqipëri dhe në Kosovë të shtohet një nen ku të formulohet në mënyrë të përshtatshme kërkesa për përgjegjësinë morale e ligjore që duhet mbajnë organet përkatëse të shtypit në rast të shkeljeve të rregullave e normave gjuhësore, pa i mohuar askujt të drejtën që të përdorë edhe forma të tjera të gjuhës së shkruar, të ndryshme nga gjuha standarde.
  • Katedrat universitare të gjuhës shqipe ta përfshijnë më gjerë në veprimtarinë e tyre studimin e problematikës së gjuhës së shtypit, duke dhënë tema studimore nga kjo fushë e duke i bërë ato të njohura për praktikën.

Prishtinë më 10 maj 2017

 

Adresa për këshillime gjuhësore me postë elektronike:

sekretaria@qsa.edu.al (Qendra e Studimeve Albanologjike – Tiranë)

 

institutialbanologjik@gmail.com (Instituti Albanologjik i Prishtinës)

shoqata14@gmail.com (Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, Tiranë)

 

Share Button