Thellohet numri i viktimave nga anija e mbytur në Egjipt

Vijon të rëndohet bilanci i viktimave si pasojë e aksidentit që përfshiu një anije me emigrantë javën e kaluar në ujërat egjiptiane. Numri i viktimave ka shkuar në 202 pas gjetjes së 33 trupave të pajetë nga ekipet e kërkim shpëtimit. 160 janë shpëtuar, por shumë të tjerë rezultojnë të humbur. Katër persona u arrestuan për tragjedinë.

33 trupa të tjerë të pajetë janë gjetur nga ekipet e kërkimit pas mbytjes së anijes në Egjipt javën e kaluar me qindra emigrantë në bord. Numri i viktimave deri tani ka shkuar në 202, 160 të tjerë janë shpëtuar, teksa autoritetet i tremben rritjes së mëtejshme, pasi mendohet se në anije udhëtonin mbi 500 persona.

“Kjo është diçka që vetëm Zoti e di. Ka shumë njerëz që ende nuk kanë gjetur fëmijët e tyre, të cilët ishin ulur në pjesën e pasme të saj në moemntin e aksidentit. Vetëm Zoti e di se çfarë ka ndodhur me ata që janë humbur, thotë një peshkatar lokal, Hamada Zamalout, i cili ka ndihmuar në operacionet e shpëtimit që nga moemnti kur aksidenti ndodhi.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim tha të martën se në bordin e anijes ndodheshin të paktën 450 persona, kurse burimet e sigurisë egjiptiane fillimisht thanë se ka patur gati 600 emigrantë në bord. Megjithatë sipas të gjitha llogaritjeve me shifrat në dispozicion, numri i të zhdukurve rezulton i lartë.

Sipas autoriteve egjiptiane, në anije udhëtonin emigrantë egjiptian, sudanez, Eritrean dhe somalezë, dhe besohet se kishin destinacion italinë. Katër anëtarë të ekuipazhit u arrestuan, pasi sipas autoriteteve egjiptiane nuk ka “asnjë justifikim” për këto vdekje dhe bëri thirrje për forcim të kufijve.

Share Button