Thaçi dekoron qytetarët e Kukësit me medaljen “Urdhri i Lirisë”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot në Pallatin e Kulturës në Kukës të Shqipërisë ka dekoruar qytetarët e Kukësit me medaljen “Urdhri i Lirisë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga presidenca thuhet se me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se ndodhet në Kukës për të shprehur falënderimin e madh për të gjithë qytetarët e këtij vendi, të cilët me zemërgjerësi dhe bujari të pakrahasueshme strehuan rreth 500 mijë vëllezër dhe motra të tyre nga Kosova, të shpërngulur dhunshëm në vitet e luftës.

“Në periudhën më kritike të shqiptarëve të Kosovës, Kukësi i ri, Kukësi i vogël në dukje u bë Kukësi i madh, i hapur, i dashur dhe thellësisht bujar e fisnik”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sukseset e NATO-s e bënë edhe “më të egër politikën antishqiptare të Beogradit”, i cili sipas tij, filloi “spastrimin etnik përmes vrasjeve, ndjekjeve, dëbimeve dhe gjenocidit”.

“Popullatën e paarmatosur, gra, burra, pleq dhe fëmijë i larguan me forcë nga vatrat e tyre në drejtim të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në Kukës zunë vend rreth gjysmë milion të dëbuar. Falë solidaritetit, dashurisë dhe ndjenjës së pastër atdhetare, kosovarët e dëbuar në Kukësin tuaj gjetën ngrohtësinë e vatrës shqiptare dhe me durim pritën përfundimin e luftës”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit të Kosovës ka thënë se pas një historie të gjatë të përpjekjeve për liri, Kosova më në fund kishte krijuar organizatën më të rëndësishme politike dhe ushtarake, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, të cilën ai e vlerëson si “guerilen më të suksesshme të shekullit që shkoi, për të jetësuar idealin dhe ëndrrën e lirisë”.

“Banorët e Kukësit dhe lumjanët në përgjithësi janë pjesë e përbashkët e historisë së Kosovës”, thotë Thaçi, duke shtuar se,  “Gjatë viteve ‎1998-1999, Kukësi u bë bazë e UÇK-së. Qyteti i Kukësit përjetoi granatimet e ushtrisë serbe. Shumë kuksianë iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu si hasjanët dhe tropojanët”.

Kurse, kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, ka thënë se kjo është një ditë e shënuar për banorët e Kukësit për shkak të vlerave të larta dhe ndjeshmërisë që kanë treguar në vitet e luftës në Kosovë.

“Thaçi ishte në Kukës si lider lufte, si luftëtar i lirisë, por sot ka ardhur si President i Kosovës për të na treguar se Kosova dhe kosovarët nuk na harrojnë”, ka thënë Shehu.

Duke kërkuar mbështetjen e dy qeverive shqiptare, Shehu ka propozuar që të krijohet “Muzeu i Kujtesës”, për t’i përkujtuar ditët e vështira që kosovarët dhe kuksianët kanë kaluar së bashku.

Në shenjë falënderimi për bujarinë kuksiane, presidenti Thaçi ka ndarë medaljen “Urdhri i Lirisë” për qytetarët e Kukësit.

Share Button