Tërmeti në Meksikë, 273 viktima dhe qyteza të tëra të rrafshuara

Bilanci i vdekjeve nga tërmeti i dytë brenda muajit që tronditi Meksikën ka mbërritur në 273 e sërish mund të mos jetë ai përfundimtari.

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë ethshëm nëpër gërmadha për të mbijetuar. Besohet se vetëm në Mexico City ka të paktën 10 ndërtesa nën të cilat gjenden ende njerëz të bllokuar. Numri i ri i vdekjeve u njoftua nga zyra e Presidentit dhe shefi i Emergjencave Civile.

Ndërsa operacionet e shpëtimit kanë hyrë në ditën e tretë, një pjesë e madhe e vëmendjes vazhdon të mbetet e përqendruar tek shkolla “Enrique Rebsamen” në kryeqytet, ku gjatë natës u nxorr trupi i pajetë i një mesueseje. Më shumë se 500 trupa ushtarake dhe 200 oficerë policie e vullnetarë kanë punuar pareshtur në atë zonë dhe përpjekjet e tyre u shpërblyen me nxjerrjen e 11 fëmijëve të gjallë.

Fatkeqësisht, 19 të mitur të tjerë dhe 6 të rritur vdiqën nga shembja e shkollës. Besohet se nën rrënoja mund të jetë ende një punonjës i saj. Punonjësit e shpëtimit i kanë kërkuar kalimtarëve të mos bëjnë zhurmë kur ecin aty pranë, me qëllim që të dëgjojnë thirrjet e të mbijetuarve. Besohet ndërkohë se mund të jenë edhe 30 persona të bllokuar brenda një blloku 6-katësh apartamentesh dhe zyrash.

Përpjekjet e shpëtimit kryesohen nga ekipe kërkuesish elitë, të njohur ndryshe edhe si “urithët”, një grup specialistësh i krijuar pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985 që vrau 10 000 vetë.

Pak javë më parë, një tjetër tërmet i fuqishëm la të paktën 90 të vdekur në jug të Meksikës.

Share Button